Nënkryetarja serbe e Mitrovicës së Veriut: Përmbytjet nuk pyesin se kush je

schedule19:38 - 22 Maj, 2023

schedule 19:38 - 22 Maj, 2023

Katarina Agjançiç, ish-punonjëse e Administratës Tatimore të Kosovës, ka pranuar pozitën e nënkryetares së Mitrovicës së Veriut.

Edhe pse ka dalë kundër shumicës së bashkëvendësve të saj serbë në veri të Kosovës, të cilët i kanë bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, Agjançiç thotë se nuk ka frikë e as sigurim.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo i përshkruan si “normale” marrëdhëniet e saj me partinë kryesore të serbëve – Lista Serbe.

Vendimin për të dalë kundër mosgatishmërisë së tyre për t’i dhënë fund bojkotimit të institucioneve të Kosovës tash e gjashtë muaj, Agjançiq thotë se e ka marrë për faktin se nuk ka mundur të qëndrojë duarkryq kundrejt pasojave që ka shkaktuar mosfunksionimi i institucioneve në katër komunat në veri të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Agjançiç, më 19 maj, jeni zgjedhur nënkryetare e Mitrovicës së Veriut. Në këtë pozitë ju ka emëruar kryetari Erden Atiç, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Fillimisht, a mund të na tregoni më shumë për veten?

Katarina Agjançiç: Kam lindur në Mitrovicë. Gjatë shkollimit dhe fillimit të karrierës sime, kam qëndruar në Prishtinë dhe kam filluar të punoj. Kështu kam filluar të njihem me sistemin tatimor, ligjin tatimor. Puna që kam filluar asokohe, është dashur të mësohet, të bëhet. Pas rreth 10 vjetësh, kur djali im është regjistruar në fakultetin në Mitrovicë, jam transferuar në Mitrovicë. Aty më kanë pranuar shumë normalisht, mirë… Djali ka mbaruar universitetin, unë kam qëndruar këtu [në Mitrovicë]. Ai nuk ka mundur, e as unë nuk kam mundur t’i gjej ndonjë vend pune, as si inxhinier mekanik, as si inxhinier i mbrojtjes së mjedisit… Duke ditur anglisht, gjermanisht, është dashur të largohet. Tani punon për një kompani gjermane. Vajza ka mbetur këtu dhe udhëheq një biznes të sajin privat.

Unë jam dikush që ka qenë organizatore dhe që mbetet organizatore e një shërbimi shtetëror [Administrata Tatimore e Kosovës], ku ke një ekip njerëzish, kolegësh, inspektorësh, ku duhet t’i përmbahesh shkronjës së ligjit.

“Asnjë politikan nuk qëndron pas meje”

Radio Evropa e Lirë: Ju e keni marrë këtë pozitë pasi serbët në veri i kanë bojkotuar zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, në kohën kur shumica e serbëve i kanë braktisur institucionet e Kosovës, në kohën kur janë djegur makina në veri për faktin se janë riregjistruar me targa të Kosovës. Disa do ta cilësonin si të guximshëm vendimin tuaj. Çfarë ju ka shtyrë?

Katarina Agjançiç: Disa do ta cilësonin këtë lëvizje si të guximshme dhe kështu kanë bërë. Disa do ta quanin të çmendur. Por, për ata që më njohin, jam jashtëzakonisht parimore, kam qëndrimin tim.

Çfarë më ka shtyrë ta bëj këtë? Asnjë politikan nuk qëndron pas meje dhe nuk do të doja të qëndronte asnjë krah politik. Nuk do t’ia lejoja vetes të angazhohesha si anëtare e një partie politike. Pra, unë jam përgjegjëse për veten time dhe për mënyrën time të punës në interes të komuniteteve – të kujtdo që jeton atje. Unë nuk jam këtu për të udhëhequr politikë apo për t’u marrë me politikë. Këtë e bën dikush tjetër.

Në janar jemi përballur me përmbytje. Uji i Ibrit ka hyrë në të gjitha shtëpitë tona, nuk ka pyetur se kush është serb, kush është shqiptar e kush është boshnjak. Në atë fatkeqësi, që ka qenë shumë e vështirë ato ditë, të gjithë kanë ditur të flasin serbisht, shqip dhe turqisht, dhe fqinjët kanë vrapuar për të ndihmuar njëri-tjetrin. Aty kemi parë që nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin. Aty kemi parë se nuk organizohemi dot pa institucione.

Por, sfidë ka qenë kthimi në jetën normale, rregullimi i dëmeve, kujt t’i drejtoheshim… A ka faj populli që dikush e ka braktisur pushtetin? Kemi pyetur ku është komisioni, të vijë t’i vlerësojë dëmet. Na kanë thënë se nuk ka komision që nga koha e dorëheqjeve. Ku janë inspektorët komunalë? Nuk ka. E çfarë ka? Ka kryetar kuvendi, delegatë. Çfarë bëjnë ata? Marrin vendime. Kush i zbaton? Askush.

Radio Evropa e Lirë: A ju ka shtyrë kjo që të angazhoheni?

Katarina Agjançiç: Pikërisht kjo më ka shtyrë. Mungesa e institucioneve në terren, për të përmirësuar jetën e njerëzve, për të normalizuar jetën. Kemi kaluar nga një fatkeqësi elementare në atë humanitare… dhe jemi në prag të një fatkeqësie ekologjike, duke hedhur helm për qentë në veri, tash e sa muaj.

Radio Evropa e Lirë: Si ka ardhur deri te bashkëpunimi me kryetarin?

Katarina Agjançiç: Jemi njohur vetëm me të parë. Por, kur ka pasur përmbytje, kur kam shkuar në shtabin e krizës, ku kemi dhënë informacione për shtëpitë tona të përmbytura, Atiq ka qenë aty. Kështu, kemi filluar t’i ndihmojmë të tjerët, të jemi solidarë, t’iu sigurojmë barna të moshuarve, terapi… t’i ndihmojmë fëmijët, sepse shumë në atë zonë jetojnë me asistencë sociale.

Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se politika nuk qëndron prapa jush. Mirëpo, më herët, keni qenë në listën e përfaqësuesve të partisë së Nenad Rashiçit – aktualisht ministër në Qeverinë e Albin Kurtit…

Katarina Agjançiç: Keq. Kam qenë. Atëherë kam pasur ambicie, kam shpresuar se mund të bëj diçka.

Radio Evropa e Lirë: Pse thoni keq?

Katarina Agjançiç Më vjen keq që kam humbur kohën kot dhe që kam shpresuar se mund të bëhem deputete./REL