I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka paralajmëruar se ekziston rreziku i ndërhyrjes ruse në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi.
Në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, MINA, Escobar tha se ky rrezik ka ekzistuar gjithmonë edhe në zgjedhjet në SHBA.
“Të jeni të sigurt se ata do të përpiqen të përdorin të gjitha dallimet dhe të gjitha metodat e vendosura në përpjekje për ta devijuar Malin e Zi nga rruga e tij europiane. Prandaj, po, më shqetësojnë zgjedhjet jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon”, tha Escobar.
Ai tha se nga ana tjetër qytetarët e Malit të Zi kanë bërë zgjedhjen e duhur.
“Sa herë që qytetarët duhej të bënin zgjedhje, ata zgjodhën të vetmen rrugë reale përpara Malit të Zi – integrimin euroatlantik”, shtoi Escobar.