Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Itali, Conte prezanton qeverinë e re

schedule18:51 - 4 Shtator, 2019

schedule 18:51 - 4 Shtator, 2019

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte prezantoi të mërkurën anëtarët e kabinetit të ri qeverisës, të ndarë mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike. Në kuadër të marrëveshjes, 10 ministri do të drejtohen nga partia anti-sistem dhe 9 nga demokratët. Ish-zëvendës kryeministri Luigi Di Maio do të mbajë postin e ministrit të Jashtëm.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte publikoi të mërkurën emrat e anëtarëve të ekzekutivit të ri, që pritet të përmirësojë marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe të ketë një qasje më të butë ndaj emigracionit.

Sipas raportimeve të mediave italiane, 10 ministri i kanë shkuar partisë anti-sistem Lëvizja 5 Yjet, 9 Partisë Demokratike dhe 1 partisë të Lirë dhe të Barabartë. Ministrat që do të mbajnë dikasteret në fjalë do të betohen të enjten paradite para presidentit Sergio Mattarella.

Posti kyç, ai i ministrit të Ekonomisë, do të mbahet nga demokrati Roberto Gualtieri, aktualisht kryetar i komisionit për çështjet ekonomike në Parlamentin Europian. Ndërsa kryetari i 5 Yjeve, Luigi Di Maio, që ekzekutivin e kaluar shërbeu si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punës, do të drejtojë dikasterin e Punëve të Jashtme, pavarësisht mungesës së eksperiencës në diplomacinë ndërkombëtare.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme, e drejtuar më parë nga kryetari i Ligës së Veriut Matteo Salvini, këtë herë do të drejtohet nga Luciana Lamorgeze, deri më sot një punonjëse karriere në sektorin civil dhe pa përkatësi politike.

Për të patur një mazhorancë sa më të gjerë, koalicioni qeverisës ia besoi Ministrinë e Shëndetësisë partisë të Lirë dhe të Barabartë, e drejtuar nga ish-kreu i Senatit, Pietro Grasso.

Pasi ministrat të betohen, kryeministrit Conte do t’i duhet të fitojë votëbesimin në të dyja dhomat e Parlamentit, përpara se qeveria të nisë zyrtarisht nga puna. Lëvizja 5 Yjet dhe demokratët publikuan të martën programin e përbashkët politik për formimin e qeverisë, duke vendosur në krye të axhendës një buxhet ekspansiv për vitin 2020, i cili do të përdoret për rritjen e ekonomisë në ngërç, pa cënuar financat për shpenzimet publike./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!