Një nga negociatorët e ekipit të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy në bisedimet për tavanin e borxhit tha të premten se është koha për një “pauzë”, në bisedime, siç u shpreh ai, pasi negociatat me Shtëpinë e Bardhë në Kapitol janë bllokuar nga një ngërç i papritur.
Ligjvënësi Garret Graves, republikan nga Luiziana, i dërguar nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve McCarthy, për të udhëhequr bisedimet, doli nga një seancë një orëshe dhe tha se hendekur mes republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe administratës demokrate mbetet.
“Është koha për të bërë pauzë sepse bisedimet thjesht nuk është produktive,” u tha zoti Graves gazetarëve.
Ai shtoi se negociatat janë bërë “thjesht të paarsyeshme” dhe se ishte e paqartë se kur do të rifillojnë bisedimet.
Një tjetër negociator republikan, ligjvënësi Patrick McHenry i Karolinës së Veriut, tha se “Ka një “hendek serioz” midis palëve.
“Jemi në një fazë të vështirë,” tha zoti McHenry, kryetari i Komisionit të Financave të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa u largua nga takimi.
Administrata e Presidentit Joe Biden po përpiqet të arrijë një marrëveshje me republikanët e udhëhequr nga zoti McCarthy, ndërsa vendi përballet me një mospagim katastrofik të borxhit nëse qeveria nuk arrin të rrisë kufirin e huamarrjes për të vazhduar të paguajë faturat e vendit.
Negociatorët e Shtëpisë së Bardhë nuk pranuan të komentojnë ndërsa u larguan nga seanca e shpejtë e mëngjesit.
Negociatorët u takuan për të tretën ditë pas dyerve të mbyllura në Kapitol me shpresat për të zgjidhur një marrëveshje këtë fundjavë përpara votimeve të mundshme të Dhomës së Përfaqësuesve javën e ardhshme. Ata përballen me një afat të afërt më 1 qershor, kur Departamenti i Thesarit ka thënë se do t’i mbarojë paratë e gatshme për të paguar borxhin e qeverisë.
Ekspertët kanë paralajmëruar se edhe kërcënimi i një falimentimi të mundshëm do të dërgonte valë tronditëse në ekonomi.
Republikanët duan të nxisin shkurtime të mëdha të shpenzimeve që presidenti Biden deri më tani ka refuzuar t’i pranojë. Çdo marrëveshje do të kishte nevojë për mbështetjen e republikanëve dhe demokratëve për të gjetur miratimin në një Kongres të ndarë dhe për t’u miratuar në ligj.
Presidenti Biden, i cili ndodhet në Japoni për të marrë pjesë në takimin e Grupit të Shtatëshes, pritet të kthehet në Uashington më vonë të dielën.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se Presidenti planifikon të informohej mbi negociatat nga ekipi i tij të premten në mbrëmje.
Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Shtëpia e Bardhë ndaj komenteve të ligjvënësit Graves.
Ndërsa republikanët kërkojnë shkurtime të shpenzimeve dhe ndryshime politikash, Biden po përballet me një trysni në rritje nga demokratët, veçanërisht nga progresistët, për të mos u dorëzuar ndaj kërkesave që ata argumentojnë se do të jenë të dëmshme për amerikanët.
Demokratët refuzojnë veçanërisht propozimin republikan për të mbrojtur shpenzimet e mbrojtjes dhe të veteranëve nga shkurtime, duke argumentuar se ato do të jenë shumë të larta në programe të tjera.
Republikanët gjithashtu duan të imponojnë kërkesa më të rrepta pune për marrësit e ndihmës qeveritare. Zoti Biden ka sugjeruar se ai mund të jetë i hapur për ta shqyrtuar këtë çështje, por demokratët në Kongres kanë thënë se ajo nuk është pikë fillimi në negociata./VOA