MIRDITË- Kryetari i ri i Bashkësisë së Mirditës do jetë Albert Mëlyshi. Ai garoi në këtë bashki nën logon dhe siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i mbështetur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Kryebashkiaku i Mirditës ishte i ftuar në “Sheshi i Dollarit” në ABC News, i cili falënderoi qytetarët për votëbesimin, ndërsa tha se do jetë kryebashkiaku që do të shërbejë me transparencë dhe përkushtim ndaj nevojave të banorëve.
“Është një sfidë në vetvete dhe përgjegjësi dhe do përpiqemi maksimalisht që Mirditës t’i kthejmë atë që i ka munguar prej vitesh. Të paktën për të pasur një transparencë. Kryetari do jetë një qytetar mes qytetarëve dhe të shërbejë për ta”, tha ai.
Me një shënim më “Facebook”, Mëlyshi ka ftuar dje kryeministrin Edi Rama për një kafe në Rrëshen, duke thënë se do të bashkëpunojmë edhe me kundërshtarët politikë, nëse në mes është interesi i Mirditës. Sipas tij, çdo kryebashkiak e ka detyrim të bashkëpunojmë jo vetëm me qeverinë, por edhe më palë të treta, nëse kjo i shërben të mirës publike.
“Unë kam detyrimin për mirditorët që të bashkëpunojë me këdo në interes dhe kjo nuk më ndalon aspak, përkundrazi, por më jep forcë dhe kurajë për të bashkëpunuar me këdo, në mënyrë që Mirdita dhe mirditorët të marrin atë që u takon. Patjetër që do të bëjmë maksimumin që Mirdita të marrë investimet e duhura dhe kjo është detyrë e kryetariit të bashkisë për të bashkëpunuar me kryeministrin dhe palë të treta dhe kjo është detyrë dhe nuk është diçka personale, përkundrazi është përgjegjësi të bashkëpunosh me qeverinë dhe t’u japim mirditorëve investime dhe zhvillim zonës”, u shpreh ai.
Ai foli për vizionin që do të aplikojë në drejtimin e bashkisë, ndërsa tha se fokusi kryesor do jetë tek turizmi dhe tek përmirësimi i infrastrukturës rrugore, por pa anashkaluar uljen e borxhit të bashkisë dhe shkurtimin e shpenzimeve joefektive.
“Mirdita ka mundësi për tu zhvilluar. Mjafton të jetë serioziteti i bashkisë dhe kjo është e lidhur ngushtë edhe për qeverisjen qendrore. Ka mundësi të zhvillohet me turizmin malor dhe do jemi të fokusuar në këtë sektor dhe duhet të nxisim investimet në këtë infrastrukturën rrugore. Prioritete janë infrastruktura dhe turizëm.Ka probleme të tilla, por jemi të informuar se ka shifra të larta shpenzimesh që nuk kanë efektivitet dhe do gjejmë formën për të ulur shpenzimet. Do të ulim gradualisht borxhet që ka bashkia”, shtoi ai./n.m.abcnews.al