Dy lande votojnë – Gjermania mban frymën

schedule09:50 - 1 Shtator, 2019

schedule 09:50 - 1 Shtator, 2019

Këtë të dielë (01.09) votohet në landet gjermane lindore, Saksoni e Brandenburg. Zgjedhjet po ndiqen me shumë interes, pasi rezultatet mund të shkaktojnë tërmet politik, për shkak të forcimit të populistëve të djathtë.

Kutitë e votimit janë hapur ndërkohë këtë të dielë në dy landet gjermanolindore, Saksoni dhe Brandenburg. 2,1 milionë qytetarë janë thirrur në Brandenburg të japin votën e tyre, kurse në Saksoni votojnë afër 3,3 milionë zgjedhës për parlamentin e ri të landit.

Në të dyja landet qytetarët mund të shenjojnë me kryqin e parë votën për kandidatin e drejtpërdrejtë të qarkut zgjedhor, kryqi i dytë vihet tek lista e partive, 11 parti janë të renditura në Brandenburg dhe 19 në Saksoni. Në Saksoni qytetarët lejohet të votojnë nga mosha 18-vjeç kurse në Brandenburg nga mosha 16 vjeç.

Qeveritë e landeve para humbjeve

Si socialdemokratët, SPD e kryeministrit të Brandenburgut, Dietmar Woidke ashtu edhe qeveria e kryesuar nga CDU në Saksoni e kryeministrit të landit, Michael Kretschmer duhet të llogarisin me humbje të ndjeshme. Kurse rritje të ndjeshme pritet të shënojnë populistët e djathtë të AfD-së, Alternativa për Gjermaninë, si edhe Të Gjelbrit. Vërtet që në parlament kristiandemokratët, sipas sondazheve të fundit, mund ta mbrojnë pozicionin si partia më e fortë, pak para AfD-së, me kandidatin, Jörg Urban. Por për koalicionin e deritanishëm me socialdemokratët, CDU/SPD kjo nuk ka për të mjaftuar.

Garë kokë më kokë

Kurse në parlamentin në Potsdam, partia populiste, AfD me kandidatin kryesor, Andreas Kalbitz ka shanse madje të zërë vendin e parë, e me këtë të tejkalojë socialdemokratët që qeverisin në këtë land prej gati tre dekadash. Konsiderohet e sigurtë, që koalicioni i Woidkes me Të Majtët nuk do të ketë më shumicën. Si në Brandenburg dhe Saksoni priten bisedime të vështira për koalicionet e ardhshme qeverisëse. Me gjasë do të duhen koalicione tre partiake për të krijuar shumicën, pa Të Gjelbrit nuk krijohet dot asnjë shumicë parlamentare. Të gjitha partitë kanë përjashtuar aleancat e mundshme me partinë populiste të djathtë, AfD. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!