Si kanë ndikuar sanksionet e Perëndimit në eksportet ruse të grurit?

schedule09:30 - 13 Maj, 2023

schedule 09:30 - 13 Maj, 2023

Rusia dëshiron që Perëndimi t’i heqë të gjitha pengesat ekzistuese ndaj grurit dhe plehrave të saj, ashtu që të pajtohet për vazhdim të marrëveshjes, e cila mundëson eksportimin e mallrave bujqësore nga tri porte ukrainase që janë në Detin e Zi.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia e kanë ndërmjetësuar këtë marrëveshje në korrik të vitit të kaluar, për të shmangur krizën ushqimore globale, të përkeqësuar nga konflikti në Ukrainë.

Marrëveshja do të skadojë më 18 maj dhe bisedimet për vazhdim të marrëveshjes janë duke u zhvilluar në Stamboll.

Sa e rëndësishme është Rusia si eksportuese e grurit?
Eksportet ruse të grurit janë rritur për më shumë se 60 për qind në dekadën e fundit, duke e bërë kështu eksportuesen më të madhe në botë.

Në sezonin aktual 2022/23, Rusia pritet të eksportojë 20 për qind të sasisë totale të grurit në botë, falë çmimeve konkurruese dhe ofertës së bollshme.

Shumë shtete në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Azi, varen nga Rusia dhe vende tjera me dalje në Detin e Zi, përfshirë Ukrainën, për furnizime me grurë cilësor.

Lufta e ka bërë më të vështirë eksportimin e produkteve nga Deti i Zi, ose e ka zvogëluar shumë sasinë.

Rusia ka ndaluar së publikuari të dhëna për doganat e saj, prej marsit të vitit 2022, kur edhe nisi luftën në Ukrainë.

Departamenti amerikan i Bujqësisë, ka thënë në parashikimet e tij për muajin prill se eksportet e grurit rus do të prekin rekord prej 45 milionë tonëve, një rritje prej 36 për qind, në krahasim me vitin e kaluar.

Kompania konsulente ruse, SovEcon, vlerëson se eksportet e grurit do të arrijnë në 43 milionë tonë në sezonin 2023/24.

Për Bashkimin Evropian – një tjetër eksportues i madh i grurit – Departamenti amerikan i Bujqësisë, parashikon që të eksportojë 35 milionë tonë grurë, shifër shumë më e vogël sesa ajo e parashikimeve për Rusinë.

Çfarë pret Moska?

Kërkesat e Moskës për modifikim të korridorit për grurë në Detin e Zi – për të cilin thotë se më së shumti përfiton Ukraina – përfshijnë edhe heqjen e barrierave ndaj grurit dhe plehrave ruse, si dhe lidhjen e Bankës Bujqësore të Rusisë me sistemin globale të pagesave SWIFT.

Kërkesat tjera lidhen me rikthimin e furnizimeve të makinerive bujqësore dhe pjesëve të ndryshme, heqjen e kufizimeve në paketat e sigurimeve, dhe zhbllokimin e aseteve dhe llogarive të kompanive ruse, që janë të përfshira në eksportet e produkteve ushqimore dhe plehrave.

A i ka sanksionuar Perëndimi eksportet ruse të grurit?
Asnjë sanksion i drejtpërdrejtë nuk është vendosur në sektorin e tregtisë së grurit të Rusisë.

Sanksionet janë vënë ndaj disa bankave ruse, kompanive dhe individëve, dhe ato më pas ua kanë vështirësuar eksportuesve rusë transportin dhe pagesat.

A kanë ndikuar sanksionet në sasinë e eksporteve?

Ndonëse eksportet janë duke prekur nivele rekorde – për shkak të të korrave rekorde në verën e kaluar në Rusi – rezervat e grurit në sezonin 2022/23 do të jenë më të lartat në 30 vjet, sipas parashikimeve amerikane.

Eksportet e grurit në sezonin 2021/2022, që kanë përfshirë edhe tremujorin e parë të luftës, kanë arritur në 33 milionë tonë, pasi bankat dhe kompanitë e sigurimeve kanë hezituar të punojnë me eksportuesit rusë.

Edhe vlera e rublës atëbotë – valutës ruse – dhe taksa e vënë në eksportet shtetërore të grurit, kanë kontribuuar në uljen e dërgesave.

Megjithatë, në korrik dhe nëntor, Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë lëshuar licenca, që mundësojnë kryerjen e transaksioneve të lidhura me produktet bujqësore ruse, përfshirë edhe ofrimin e paketave të sigurimit dhe shërbime të tjera.

Shtetet e Bashkuara, po ashtu, kanë bërë të ditur se produktet bujqësore nuk janë shënjestër për sanksione.

A ekzistojnë faktorë të tjerë që i kanë kufizuar eksportet ruse të grurit?
Disponueshmëria e vagonëve hekurudhorë është një tjetër pengesë logjistike, e cila është përkeqësuar nga operacionet ushtarake.

Qeveria ruse ka vendosur kuota në eksport dhe një taksë eksporti për grurin dhe produkte tjera bujqësore, për të garantuar furnizimet brenda shtetit, si dhe për të luftuar inflacionin e brendshëm në sektorin ushqimor.

Tregtarët e kanë cituar taksën, si zvarritje për konkurrencën ndërsa normën e saj të luhatshme, si dekurajim për tregtarët e huaj që të blejnë grurin rus.

Moska, po ashtu, besohet se u ka kërkuar eksportuesve që të paguajnë një çmim për eksport të grurit, për të mbrojtur të hyrat e bujqve, ndonëse nuk dihet nëse po funksionon ajo skemë.

Shumë prej tregtarëve më të mëdhenj në botë të të korrave, kanë thënë se do t’i ndalin operacionet në Rusi, prej nisjes së sezonit të ri në korrik, duke i cituar sfidat në rritje për eksport.

Megjithatë, ndikimi në transport pritet të jetë modest, duke marrë parasysh që operacionet pritet të vazhdojnë nën një tjetër menaxhment./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!