Ish-mësuesi që u plagos në Vlorë ishte kthyer në atdhe kohët e fundit

schedule13:27 - 31 Gusht, 2019

schedule 13:27 - 31 Gusht, 2019

Pista kryesore që po heton policia e Vlorës për plagosjen e ish mësuesit është dënimi i tij për vrasje disa vite më parë. Mësohet se 36 vjeçari, Eljus Thartori kishte pak kohë që ishte rikthyer në Shqipëri dhe nuk dihet asgjë për aktivitetin e tij jashtë vendit.

Për ngjarjen janë marrë në pyetje banorë dhe të afërm të tij, por ende nuk është rënë në gjurmët e autorëve.

Disa persona u shoqëruan në komisariatin e Vlorës për të dhënë dëshmitë e tyre pas plagosjes se ish mësuesit Eljus Thartori. Personat e marrë në pyetje janë banorë të zonës dhe të afërm të 36 vjeçarit i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë.

Ai u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e të premtes në banesën e tij në lagjen “10 korriku”. Thartori mori plagë të rënda dhe pas ndihmës së parë që iu dha në spitalin e Vlorës ai u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia pritet të marrë në pyetje 36 vjeçarin pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore.  Në momentin e parë pasi u qëllua me armë zjarri pati edhe një shpërthim për të cilin Thartori ka deklaruar se i ka plasur celulari në dorë, por policia dyshon për lëndë plasëse.

Ndërkohë nga policia e Vlorës, konfirmohet se ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë që kishte në banesën e tij 36 vjeçari, dhe janë sekuestruar pamjet e kamerave që ndodheshin në zonë.

Eljus Thartori para pak kohësh ishte kthyer në atdhe që prej largimit në vitin 2017 nga detyra si mësues i edukimit fizik në shkollën 9 vjeçare “Teli Ndini” në qytetin e Vlorës.

Në atë kohë Thartori u filmua nga një emision investigativ teksa luante me letra me nxënësit në orën e mësimit.

Pista kryesore që po heton policia e Vlorës lidhet me të kaluarën e 36 vjecarit, i cili rezulton i dënuar me 10 vjet burg për akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Ne vitin  2007  Thartori ka vrarë në Durrës një person që bashkëjetonte me nënën e tij.  Një tjetër pistë është jeta e tij jashtë Shqipërisë dhe arsyet e rikthimit në atdhe./ABC News Albania 24/7