Padyshim një nga më të mirët në fushën e lojës, në përballjen e mbrëmjes së shkuar, mes Real Madrid e Manchester City, në gjysmë-finalen e UEFA Champions League ishte dhe spanjolli Rodri, me këtë të fundit që dha pasimin “kyç”, në golin fantastik të Kevin de Bruyne, që vendosi rezultatin 1 me 1.
Pas përfundimit të ndeshjes, spanjolli i mesfushës së “qytetarëve” foli për mediat, nga ku nuk kishin si të mungonin dhe lavdet për “liderin” e tyre në fushën e lojës, kapitenin, Kevin de Bruyne.
“Të luash në “Santiago Bernabeu” është gjithmonë e vështirë, djemtë ishin të jashtëzakonshëm. Në gjysmën e parë ne kontrolluam lojën, por ata na shënuan në rastin e parë me një goditje të pabesueshme. Por ne ishim në lojë, sado e komplikuar të ishte.
De Bruyne është fantastik për ne, ne po vuanim për disa minuta, por ai na dha besimin për të vazhduar më tutje. Barazimi 1-1 është një rezultat i mirë”,- u shpreh Rodri për mediat pas lojës. /i.m /abcnews.al