‘Gërdeci’/ Pritej të jepej pretenca, shtyhet sërish gjyqi ndaj Mediut. Kërkesa e Zamira Durdës për GJKKO

schedule14:20 - 9 Maj, 2023

schedule 14:20 - 9 Maj, 2023

TIRANË – Shtyhet seanca për Fatmir Mediun për çështjen ‘Gërdeci’. Shkak është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës. Seanca e radhës do të mbahet me 24 Maj në 12:00. Sot ishte parashikuar që prokuroria do të lexonte konkluzionet përfundimtare për Mediun për dy vepra penale.

Ndërkohë, Zamira Durda dorëzoi sërish një kërkesë në gjykatë për t’u bërë pjesë e procesit. Gjykata e Posaçme më herët nuk pranoi që familjarët e viktimave të Gërdecit të ishin pjesë e procesit.

Ndaj ish ministrit Mediu SPAK ka ngritur akuzë për dy vepra penale,  “shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!