Tirana dhe komunat arbëreshe do të organizojnë një kalendar të përbashkët me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet. Kryetari i bashkisë Erion Veliaj priti në një takim nënkryetarin e Këshillit të Komunës së Potencës, Antonio Vigilante.
Arbëreshët e Italisë do të kenë vend të veçantë në aktivitetet që do të organizohen nga bashkia me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet. Kryebashkiaku Erion Veliaj priti në një takim nënkryetarin me origjinë shqiptare të Këshillit të Komunës së Potencës, Antonio Vigilante.
“Do të doja shumë që në 100 vjetorin e Tiranës si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i Shqipërisë, të fillonim punën për një kalendar të përbashkët, ku me miqtë tanë arbëreshë të kemi mundësi të tregojmë se vërtet mund të kemi qenë fizikisht të ndarë, por shpirtërisht dhe kulturalisht jemi gjithmonë pranë.
Një ide e shkëlqyer është gjetja e një shtëpie muze për arbëreshët, siç kemi bërë me Shtëpinë e Gjetheve, BunkArtin ose Shtëpinë Kadare, që të përfaqësojë mbi 30 komuna, të cilat më shumë sforco dhe me shumë entuziazëm mbajnë gjallë kulturën tonë”, tha Veliaj.
Vizita e nënkryetarit të Këshillit të Komunës së Potencës sipas Veliajt do të forcojë më tej marrëdhëniet mes dy bashkive./ABC News Albania 24/7