Të paktën gjashtë palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, mes tyre një baba dhe djali i tij 13-vjeçar, bëjnë të ditur burime lokale shëndetësore.
Tre persona humbën jetën nga një sulm ajror izraelit ndaj banesës së familjes Ghubain, në zonën Daraj të qytetit të Gazës. Në një tjetër sulm, një baba dhe djali i tij u vranë pasi një tendë ku ata po qëndronin u godit në lagjen Zeitoun, ndërsa një person tjetër u vra nga të shtënat e forcave izraelite në qytetin jugor të Khan Younis.
Sulmet vijojnë pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 1,600 palestinezë janë vrarë nga Izraeli që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Ndërkohë, bilanci i luftës së nisur më 7 tetor 2023 ka kaluar 74 mijë viktima palestineze, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore të territorit.
Situata humanitare është përkeqësuar edhe më shumë pas stuhisë së fortë që goditi Gazën gjatë fundjavës. Zyra e Medias e qeverisë në Gaza bëri të ditur se për vetëm 12 orë u përmbytën rreth 70 mijë tenda ku strehohen palestinezët e zhvendosur, ndërsa të paktën pesë persona humbën jetën dhe dëmet materiale llogariten në rreth 3 milionë dollarë. Mijëra familje kanë mbetur të ekspozuara ndaj reshjeve dhe temperaturave të ulëta, në kushte ku tendat nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme.
Ndërkohë, Izraeli vijon të kufizojë hyrjen e materialeve të strehimit dhe ndihmave humanitare në territor. Sipas raportimeve, rreth 60 mijë banesa të lëvizshme dhe 200 mijë tenda po mbahen jashtë Gazës, ndërsa deri më tani është lejuar hyrja e vetëm 20 mijë tendave.
Kjo situatë rëndohet nga fakti se rreth 85 për qind e banesave në Gaza janë shkatërruar ose dëmtuar gjatë luftës. Paralelisht, negociatat për fazën e ardhshme të marrëveshjes kanë mbetur të bllokuara, pasi palët nuk kanë arritur një dakordësi për çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, ku forcat e Izraelit vazhdojnë të kontrollojnë rreth dy të tretat e territorit.


