Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi do të dorëzojë një amendament të një rezolute që duhet të miratohet nga Këshilli i Evropës, e që ka të bëjë me integritetin territorial të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
“Ata thonë se po mbrojnë integritetin e Moldavisë, Gjeorgjisë. Ne kemi shtuar një amendament për të respektuar integritetin territorial të të gjitha vendeve të tjera të Këshillit të Evropës”, tha Vuçiç për Televizionin Happy të Serbisë, shkruan REL.
Samiti i Këshillit të Evropës do të mbahet gjatë këtij muaji në Islandë. Vuçiç tha se nuk do ta ndjekë atë, nëse amendamenti nuk pranohet.
Serbia, e cila është anëtare e Këshillit të Evropës, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj.
Vuçiç tha se Serbia nuk do ta ndryshojë rrugën e saj evropiane pas pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por se në marrëdhëniet dypalëshe, shtoi ai, do të punojë më ngushtë me vendet që kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës.