BE propozon sanksione ndaj kanalit të Russia Today që transmetohet nga Serbia

schedule22:45 - 8 Maj, 2023

schedule 22:45 - 8 Maj, 2023

Bashkimi Evropian është duke e diskutuar pakon e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë, që do të fokusohet më së shumti në përpjekjet për ta parandaluar anashkalimin e sanksioneve për Rusinë përmes vendeve të treta.

Por, sipas propozimit të Komisionit Evropian dhe të Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së, për të cilin po diskutojnë vendet anëtare, në këtë pako do të shtohen edhe emra të rinj të personave dhe kompanive në listën e sanksioneve, shkruan Rel.

Në këtë pako, në të cilën ka pasur qasje Rel, është përfshirë edhe mediumin “RT Balkan”, i cili transmetohet nga Serbia, ku edhe është i regjistruar.

Kanali RT (Russia Today), që është nën kontrollin e plotë të qeverisë ruse, ka qenë nën sanksione të perëndimit edhe më herët. Por, “RT Balkan” është paraqitur sikur të jetë një “entitet në vete” i regjistruar në territorin e Serbisë.

Tani, BE-ja dëshiron që formalisht në listën e sanksioneve ta përfshijë “RT Balkan” për të mos lënë asnjë dyshim mbi atë se ky medium konsiderohet si vegël e Rusisë për përhapje të propagandës në rajonin e Balkanit Perëndimor.

Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian kishte shprehur shqetësim se Serbia po përdoret si hapësirë për përhapjen e propagandës së Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor me qëllim të dëmtimit të demokracisë dhe të interesave të Bashkimit Evropian. Serbia, përveç kësaj, është kritikuar vazhdimisht për refuzim të mbështetjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.