“Shqiponjat” do të zbresin në Londër, katër boksierë shqiptarë në ring më 27 maj

schedule13:41 - 6 Maj, 2023

schedule 13:41 - 6 Maj, 2023

Boksi shqiptar do të ketë mbrëmjen e parë profesioniste në një kryeqytet të shquar si ai i Britanisë së Madhe.

Katër boksierë kuqezinj do të kenë sfidat e tyre mbrëmjen e 27 majit në një arenë të prenotuar në Londër, dhe ku pritet një atmosferë elektrizuese.

Luftëtarët shqiptarë që pritet të garojnë në metropolin britanik janë Nelson Hysa, Denis Nurja, Alban Bermeta dhe Arjon Kaloshi.

Ende pritet konfirmimi i plotë, por nga organizatori i aktivitetit, trajneri i atletikës Taulant Stërmasi, jepen pikërisht këta emra.

Spikat mungesa e një emri të shquar të dorezave tona si Alban Beqiri, i cili fitoi medalje bronzi në kampionatin e kaluar botëror.

Stërmasi, trajneri i Luiza Gegës, sqaron se po negociohen emrat e kundërshtarëve në mënyrë që ata të kenë renditje botërore të përafërt, ose mundësisht edhe më të mirë sesa ajo e boksierëve tanë, pasi vetëm kështu mund të ketë cilësi.

Pas mbrëmjes së madhe londineze, në prani të mijëra shqiptarëve që jetojnë në Britani, pritet që të ketë një aktivitet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qershor./ h.ll/abcnews.al