Reforma e pagave/ Resulaj analizon efektet: Rritet produktiviteti dhe tregu bëhet më konkurrues

schedule14:39 - 5 Maj, 2023

schedule 14:39 - 5 Maj, 2023

TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj, tha se vendimi për rritjen e pagave në administratën publike është ndikuar nga inflacioni dhe raporti i ofertë-kërkesës në tregun e punës. Gjatë intervistës në rubrikën “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Resulaj tha se tashmë janë pjekur kushtet për rritje pagash në administratën qendrore dhe atë lokale.

“Por tashmë është momenti i tillë, që për shkak të inflacionit dhe kërkesë oferta e bën të domosdoshme rritjen e pagave. Inflacioni është një nga faktorët, por po flasim një rritje e nivelit të pagave që mund të shkojmë deri në 41. Më së shumë është një domosdoshmëri dhe ka qenë një pamundësi më përpara. Në vitet e fundit ka qenë I detyruar rritja e pagave në sektorë të veçantë, si në shëndetësi, arsim  dhe kanë nevojë dhe janë sektorë me shkallë vështirësie të punës. Erdhi ky moment, është i domosdoshëm. Janë të gjithë kategoritë që përfitojnë, në të dyja nivelet. Rritja e pagave i prek të gjitha nivelet”, tha ajo.

Krahas faktorëve makro-ekonomikë, Resulaj shtoi se rrija e pagave është ndikuar edhe ng rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Anëtarja e Komisionit të Ekonomisë, u shpreh se një nga proceset që ka dhënë efekt në këtë drejtim është ai i fiskalizimit. Ajo shtoi se reforma e pagave do të përmirësojë ndjeshëm tregun e punës dhe për pasojë kjo qasje do të shtojë produktivitetin në çdo hallkë.

“Rritja e pagave për deputetë është e fundit në radhë. Ka një rritje të të ardhurave në buxhetin  e shtetit, edhe procesi i fiskalizimin ka dhënë një impakt në rritjen e të ardhurave. Qëllimi kryesor në rritjen  e pagave është për ta bërë ekonominë më konkurruese në treg. Kryeministri ka në dorë të rrisë pagat në sektorin publik, por kjo do të shërbejë si sinjal për rritjen e konkurrencës dhe për të nxitur sektorin privat për të rritur paga. Kjo e bën tregun më konkurrues dhe me këtë konkurrencë e bën shtimin e produktivitetin. Sektori privat e ka pasur një rritje graduale.  Një nga problemet që është hasur ka qenë nëndeklarimi i pagave”, tha ajo.

Ajo shtoi se kjo reformë do të ndikojë gjithashtu në frenimin e largimeve të njerëzve nga Shqipëria dhe rritjen e besimit në ekonomi.

“Qëllimi është për ti mbajtur njerëzit në vend dhe për tu specializuar në sektorë, që kërkojnë një emergjencë. Një pagë më e mirë i mban njerëzit në vendin e tyre. Tregu i punës vuan për profesionistë për fusha të ndryshme. Arsimi profesional ka marrë një rritje dhe duhet të këtë një lloj ndërgjegjësimi për tu specializuar në këto fusha. Rritja e pagave është e mirëpritur  nga të gjithë”, shtoi ajo./n.m.abcnews.al