“Quhem Feruze Alla, jam 56 vjeçe dhe banoj në fshatin Shegas të Lushnjes. Kur ra tërmeti, ishte tmerr për ne. Burri më thirri shpejt dil, tërmet. Frikë kishim… shtëpia u rrëzua. Tek ky plastmas kemi qëndruar. Ne kurrë nuk do ta bënim. Dolëm këtu, në këtë plastmas…”
Kështu tregon për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” Feruze Alla, e cila mbeti në qiell të hapur së bashku me të shoqin. E vetmja mundësi që kishin burrë e grua, ishte të ndërtonin një kasolle të vogël plastmasi, në atë që do të kthehej në jetesën e tyre më të vuajtur.
Por njëlloj si shumë shqiptarë të tjerë të prekur nga tërmeti, Fondacioni “Firdeus” dhe ata mijëra shqiptarë që iu bashkëangjitën karvanit të bamirësisë, s’do të mund të linin në baltë edhe këtë familje.
“Fondacioni Firdeus erdhi dhe na tha se do të shembnin shtëpinë, për të na rindërtuar shtëpi të re. Në fillim nuk e besova, por kur erdhi fadroma dhe shembi shtëpinë, besova… thashë me vete, ëndrra ime do të bëhet realitet.”-shpjegoi më tutje Feruzja.
E kësisoj, nga kasollja e plastmasit, familja Alla u zhvendos në shtëpinë e tyre të re. Sidriti e Meri Bejleri u nisën drejt fshatit Shegas, për të takuar çiftin si dhe për të parë nga afër shtëpinë e tyre të re, një dhuratë e paçmuar, dhënë nga modeli i bamirësisë.
Sidriti: Si je Fazlli. Duke punuar je?
Fazlliu: Po duke punuar
Sidriti: Kjo shtëpi e bukur, e kujt është?
Fazlliu: Shtëpia ime
Sidriti: A mundet të hyjmë ta shohim nga brenda
Fazlli: Feruze, dil se na kanë ardhur mysafirë
Feruze: Mirëserdhët
Sidriti: Shtëpia paska dalë shumë bukur. Tërmeti e rrafshoi të vjetrën apo u dëmtua?
Feruze: U bë e pabanueshme. Erdhën e kontrolluan dhe na thanë që është e pabanueshme. Na thanë për të ikur, por ne e kemi të lidhur jetën me tokën, me ullinjtë etj. Ne ju falenderojmë pa masë, Zoti ju bekoftë, kushdo qoftë ai që na dha këtë mundësi (përlotet)
Sidriti: Gjithë ato që the, këto lot i mbivendosen sipër. Zoti të shpërbleftë
Feruze: Zoti i bekoftë të gjithë, sa herë futem në shtëpi, aq herë i bekoj.
Sidriti: Shyqyr Zotit, që ju e vlerësoni atë ndihmë, ato kontribute që i kanë dhënë shqiptarët. Kur takova yt shoq, dora e tij ishte gur e fortë, punon gjithë ditën me djersë…
Feruze: Ne nuk e besuam në fillim, kur erdhën inxhinierët dhe panë vendin. Nuk e besonim. Më ndryshoi mendja kur erdhi fadroma dhe e hodhi në tokë atë godinë të shkatërruar. Shtëpia e gjitha është kryer për tre muaj. Gjithçka, nga themelet deri tek arredimi ka qenë çdo gjë e ndërtuar dhe rregulluar. Ne në shtator kemi hyrë në shtëpi.
Sidriti: Shyqyr që Zoti ua ka mundësuar të hyni në kaq pak kohë, që të mos përballeshit me motin. Ju jeni njerëz punëtorë dhe ne e vlerësojmë pa masë këtë.
Sidriti: Të jeni mirë, me shëndet, me të gjitha të mirat. Ta gëzoni inshallah e veç gëzime paçi në jetën tuaj.
Sidriti: Vëllezër e motra, siç e patë, u rehatua shpirtërisht e fizikisht edhe një familje tjetër. Gëzimi është i madh, e veçanërisht kur ata që ndihmon janë mirënjohës, zemra të bëhet mal.
/abcnews.al