Prokuroria e Dibrës ka regjistruar dosjen 184 e cila heton shitblerjen e votave në qarkun e Dibrës gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2016. ABC News ka mësuar se do të hidhet shorti midis prokurorëve Rifat Kojku dhe Benila Zeneli, para përfundimit të afateve që është data 10 Shtator.
“Me 10 shtator përfundojnë afatet për dosjen 184 , prej disa ditësh Prokuroria e Dibrës e ka regjistruar si procedim penal dhe pritet hedhja e shortit mes dy prokurorëve se kush do ta hetoje këtë çështje”.
Dosja 184, heton shitblerjen e votave në qarkun e Dibrës gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2016. Abc Neës mëson se në fillim të Shtatorit pritet të hidhet shorti mes dy prokuroreve Rifat Kojku dhe Benila Zeneli.
Drejtuesja e prokurorisë së Rrethit te Dibrës Esmeralda Cami (Keshi) mësohet se nuk do të jetë pjesë e shortit. Kjo, për shkak të lidhjeve familjare me Arben Keshin, njëri prej personave nën hetim për shitblerjen e votës.
Pak kohë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencën për dosjen 184, duke e dërguar atë në institucionin e akuzës së Dibrës. Arsyeja e moskompetencës, sipas kësaj prokurorie, ishte fakti se dosja nuk ka të bëjë me një grup të strukturuar kriminal, por bashkëpunim të thjeshtë.
Ndërkohë, prokuroria e Dibrës i kërkoi Prokurorisë së përgjithshme, që kjo dosje të hetohet nga krimet e Rënda, pasi objekt i hetimit është një grup i strukturuar kriminal.
Gjithashtu, organi i akuzës së Dibrës e ka argumentuar kërkesën e saj me faktin se kjo prokurori nuk ka staf të mjaftueshme për të kryer hetimet. Por Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku vendosi që përfundimisht kjo dosje të hetohet nga Prokuroria e Dibrës.
Në përgjimet telefonike te publikuara nga gazeta Gjermane “Bild”, pjesë e dosjes 184, dëgjohen në biseda deputetë dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste si Damian Gjiknuri, Pjerin Nderu, Fatmir Xhafa, Sajmri Tahiri, teksa bisedojnë me zyrtarë vendorë të Qarkut të Dibrës për blerjen e votave.
/ABC News Albania 24/7