Eksperti i gjeopolitikës, Enri Hide deklaroi se po përgatitet një batalion i madhe me rreth 3 mijë ushtarë, që do të jenë të gatshëm për kundërofensivën e Ukrainës ndaj trupave ruse në pranverë.
Në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News, Hide u shpreh se 3 mijë ushtarët ukrainas janë trajnuar prej kohësh në Gjermani.
Sipas Hides, ukrainast mund të përdorin një strategji gjatë kundërofensivës, ku mund të kryejnë sulme të ndryshme në prapavijën ruse, por edhe sulme frontale.
“Sa i takon kundërofensivës, tashmnë kemi një batalion shumë të madh që është përgatitur prej kohësh në Gjermani. 3 mijë, është elita që përgatitet për këtë ofensivë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Jo të gjithë ata që po trajnohen, do të jenë të gatshëm të bëhen pjesë e kundërofensivës. Ajo që unë iu referova, është një numër prej 3 mijë, e cila po bëhet gati dhe do të marrë pjesë në këtë kundërofensivë shumë shpejt. Sipas informacioneve që po dalin, do jetë një kundërofensivë e koordinuar me një tërësi elementësh. Nuk do ketë një sulm në një pikë kyçe, por mund të ketë edhe sulme që duan të devijojnë vëmendjen e kundërshtarit, mund të jenë sulme që mund të depërtojnë në prapavijën e kundërshtarit, mund të jenë edhe sulme frontale.
Mund të kemi një kombinim të strategjisë dhe këtë e ka lënë të nënkuptohet edhe vetë presidenti i Ukrainës, i cili po e thotë në një farë mënyre që ne nuk do presim tanket, nuk do presim të na vijnë avionët të luftojmë, që do të thotë se do të luftojmë me të gjitha mënyrat”, theksoi ai./abcnews.al