Mediat britanike raportojnë se kryeministri Boris Johnson synon të mbajë mbyllur parlamentin e vendit, për të shmangur një tjetër shtyrje të afatit për daljen e vendit nga Bashkimi Europian.
Boris Johnson synon të mbyllë parlamentin britanik për të paktën pesë javë me objektivin për të shmangur një zgjatje të mëtejshme në kohë të Brexit. “The Observer” degë e britanikes “Guardian” shkruan se kryeministri britanik i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë Geoffrey Cox, një këshillim ligjor nëpërmjet një e-maili të shkruar në dhjetë ditët e fundit, për të vlerësuar nëse do të jetë e mundur që parlamenti të mbyllet deri në 31 Tetor për të shmangur një shtyrje të Brexit dhe daljes nga Bashkimi Europian.
E-mail është lexuar nga “The Observer” e cila publikoi lajmin që më pas u përgënjeshtrua nga kryeministria. Në përgjigjen zyrtare, këshilltarët e qeverisë shkruajnë se parlamenti britanik mund të mblidhet në 9 Shtator pas përfundimit të pushimeve dhe më pas të qëndrojë i mbyllur deri në 31 Tetor. Por një gjë e tillë mund të shmanget nëse fronti anti-Brexit do të vendosë të çojë në gjyq vendimin për mbylljen e parlamentit.
Kryeministri britanik Johnson u shpreh optimist për një marrëveshje të re mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian për një dalje sa më të lehtë. Më tej ai theksoi se nëse dalja do të bëhej pa një marrëveshje atëherë Londra nuk do të paguante 39 miliardë stërlinat e pretenduara nga Bashkimi Europian. Ndërkohë Boris Johnson mori mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump, i cili u shpreh se ai ishte njeriu i duhur për Brexit./ABC News Albania 24/7

