Vrasja e Indrit Çelës, Gjykata e Tiranës lë në burg 3 nga 4 të arrestuarit

schedule10:49 - 25 Gusht, 2019

schedule 10:49 - 25 Gusht, 2019

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë për 4 personat nën hetim. Gjyqtari Sokol Tone vendosi të lër në burg Bujar Kusin, babain e dy personave të dyshuar si ekzekutor, Ferdinand Bakalli dhe Ali (Edmont) Sula, ndërsa në masën e sigurisë “arrest shtëpie” u la Luan Çaka. Në kërkim janë vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi.

Gjykata penale e Tiranës la në burg 3 nga 4 personat e arrestaur për vrasjen e teknikut të kondicionerëve Indrit Çela. Në masën e sigurisë arrest me burg u lanë Bujar Kusi, Ferdinand Bakalli dhe Ali (Edmont) Sula, ndërsa në maën e sigurisë arrest shtëpie u la Luan Çaka.                                         

4 personat nën hetim akuzohen për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Ndërsa Luan Çaka dhe Ali Edmond Sula akuzohen edhe për moskallëzim krimi.

Burime për ABC News kanë konfirmuar se personat nën hetim janë zbuluar nga kamerat e sigurisë së vilës ku po kryheshin punime, ku ata duken teksa kryejnë disa veprime me qëllim manipulimin e ngjarjes.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, pasi siç deklaroi Ida Ahmetlli, ka disa prova që nuk duhen bërë publike.

Ndërsa gjatë zhvillimit të seancës 4 personat nën hetim nuk kanë dhënë asnjë fakt që t’i ndihmonte ata për të fituar lirinë.

Fillimisht për vrasjen e 26 vjeçarit  Indrit Çela u akuzua Lorenc Veliaj, por pas hetimeve rezultoi se tekniku i kondicionerëve është plagosur me plumb në kokë nga vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi për të cilët gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg në mungesë.

Indrit Çela ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, 12 orë pas plagosjes. Sipas organit të akuzës, gjithçka ka nisur për shkak të një tubi kondicioneri, fillimisht autorët janë përplasur me viktimën fizikisht dhe më pas e kanë qëlluar me armë.

Vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi janë persona me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2010 Albano ekzekutoi Shkëlqim Nozllin për një borxh prej 650 eurosh, duke u dënuar me 8 vite burg.

Ndërsa i vëllai Griseldo në vitin 2011  ka plagosur me 4 plumba Maksut Hysin për shkak të disa konflikteve të pronësisë .

6 muaj më vonë ai tentoi të vriste Boiken Spahiun për prishjen e pazareve të drogës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!