Rooney: Epoka Messi-Cristiano ka përfunduar, “Topin e Artë” e meriton Erling Haaland

schedule16:38 - 25 Prill, 2023

schedule 16:38 - 25 Prill, 2023

Me 48 gola e 6 asiste në 42 paraqitjet e derimëtanishme me “qytetarët” e Manchester City, padyshim që mjaftojnë për ta quajtur “bomberin viking”, Erling Haaland, “njeriun e momentit”, si dhe pretendentin kryesor për fitimin e “Topit të Artë” këtë sezon.

Mendimin e tij mbi këtë temë e ka dhënë dhe legjenda e sulmit të Kombëtares angleze, si dhe Manchester United, Wayne Rooney, i cili beson “verbërisht” se Haaland do të jetë fituesi i “Topit të Artë” e madje theksoi se tashmë ka nisur një “epokë” e re, ajo e Haaland-Mbappe, me dyshen e re që sipas “veteranit” anglez, ulin nga froni “magjikët”, Messi-Cristiano.

“Kush do ta fitojë Topin e Artë? Patjetër që Haaland. Messi është më i miri i të gjitha kohërave, por tani askush nuk luan më mirë se Haaland. Ai është më i miri në botë. Epoka Messi-Cristiano ka mbaruar, epoka Haaland-Mbappe ka filluar”,- shprehet Rooney për dy sulmuesit tejet të talentuar. /i.m /abcnews.al