“Ndërkombëtarët mbështesin Aleksandër Vuçiç për të marrë në fund atë që duan në lidhje me Kosovën”. Është kjo akuza e ish presidentit serb Boris Tadiç i cili shtoi se kreu aktual i shtetit e ka sjellë vendin në një situatë anormale.
Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u shpreh se do të bojkotojë zgjedhjet në vend pasi sipas tij presidenti aktual e ka futur Serbinë në një situatë të anormale.
Mediat serbe raportojnë se sipas tij ideja për bojkot do të kontribuonte në normalizimin e situatës sociale dhe jo vetëm asaj politike.
“Vuçiç ka krijuar një situatë të padurueshme në vend me shijen e tij të keqe, vulgaritetin, pavendosmërinë, agresivitetin dhe të gjitha format e tjera që karakterizojnë personalitetin e tij.”, theksoi Tadiç.
Ndërkohë kërkesën e ndërkombëtarëve që opozita të mos bojkotojë zgjedhjet, ai e sheh si një përpjekje për të mbajtur Vuçiç në pushtet pasi nga ai do të marrin çfarë duan për Kosovën, dhe jo sepse iu intereson demokracia në Serbi. /ABC News Albania 24/7