Rrjeti televiziv amerikan CNN ka shkarkuar një nga prezantuesit e tij më të njohur, Don Lemon. Ai ka sqaruar se është “i befasuar” nga ky vendim dhe nuk është njoftuar nga produksioni për ndërprerjen e bashkëpunimit të tyre.
“Unë u informova këtë mëngjes nga agjenti im se jam shkarkuar nga CNN. Jam i habitur”, tha ai. “Pas 17 vitesh në CNN, do të kisha menduar se dikush në menaxhim do të kishte pasur mirësjelljen të ma thoshte këtë drejtpërdrejt”, shtoi ai.
Në deklaratën e vet, CNN thotë se rrjeti ka “ndarë rrugët” me Lemon dhe se spikerit iu ofrua mundësia për t’u takuar me produksionin, por zgjodhi të postonte një njoftim në llogarinë e tij personale në Twitter. Rrjeti e quajti versionin e Lemonit të ngjarjeve “të pasaktë”.
Asnjë nga njoftimet nuk specifikonte arsyet e largimit të Lemonit nga rrjeti.
Prezantuesi iu bashkua CNN në vitin 2006. Ai drejtoi “Don Lemon Tonight” për tetë vjet dhe u shfaq në mënyrë të dukshme gjatë presidencës së Donald Trump, të cilin ai e quajti “racist”./abcnews.al