Thënia nuk ka punë, nuk është gjithmonë e vërtetë. Dhe për këtë të ndihmojnë shifrat. Gati gjysma e atyre që sot janë pa punë, as nuk kërkojnë që të punojnë. Rreth 42 përqind e qytetarëve në Tiranë zgjohen në mëngjs dhe thjesht kthehen në krahun tjetër, pa punuar.
Të dhënat e INSTAT për 3-mujorin e fundit të vitit 2022 tregojnë se Tirana kryeson për herë të parë në 12 qarqet e vendit për nivelin e lartë të dembelizmit, popullsisë jo aktive në tregun e punës. Tirana zbriti nga vendi i parë Lezhën, që e mbante prej vitesh.
Megjithëse në kryeqytet janë të përqendruar rreth 60% e aktivitetit ekonomik, gjysma e popullsisë së Tiranës nuk dëshiron të punojë. Por përse ndodh kjo? Ekspertët e punësimit rendisin disa arsye.
“Një pjesë e të rinjve nuk dinë të kërkojnë. Ka nga ata që nuk kanë interes, janë të varur nga të ardhurat e prindërve. Ka të tjerë që janë shumë të specializuar dhe nuk e gjejnë veten”, thotë ekspertja.
Ka nga ata që presin poste drejtuese.
“Kanë ambicie për pozicione drejtuese, për të konkuruar në bashki apo qoftë edhe deputet.”, shprehet ekspertja.
Të tjerë presin punën e ëndrrave që i shohin të reklamuara në rrjetet sociale.
“Njerëzit bëhen dembelë, nuk lindin. Sot ndikohen nga TikTok, rrjetet sociale. Kur dalin në terren dhe shikojnë jetën reale tërhiqen dhe bëhen dembelë”, shton ajo.
Ekspertët rekomandojnë politika nxitëse, futjen e negociatorëve mes punëdhënësit dhe punëmarrësit./abcnews.al


