Rodrygo ishte hero i Real Madridit në ndeshjen e dytë çerekfinale ndaj Chelseat, pasi shënoi të dy golat në fitoren 2-0 të “Los Blancos”.
Real Madrid dukej se do të kishte vështirësi në fillimin e ndeshjes, por në pjesën e dytë ishte Rodrygo, i cili me dy gola vulosi fitoren dhe kualifikimin në gjysmëfinale.
Kjo vazhdoi serinë e golave të rëndësishëm të brazilianit në Champions League, diçka që ai vetë nuk di si ta shpjegojë.
“Nuk di si ta shpjegoj, por gjithmonë them se është një kompeticion i veçantë për mua, sa herë që luaj kam mundur të bëj diçka të veçantë për ekipin tim, shpresoj të vazhdoj kështu dhe të jap më shumë asistime dhe më shumë gola”, ka thënë fillimisht Rodrygo për “Cadena Cope”.
“Ndihem si titullar, ndihem i rëndësishëm, veçanërisht në Champions League. Shpresoj të vazhdoj kështu. Kam diçka të veçantë me Championsin. Mund të jetë momenti im më i mirë, por dua të bëj shumë më tepër”.
Rodrygo u pyet gjithashtu për festën e tij si të Cristiano Ronaldos.
“Mendova të rrëshqas në gjunjë, por kam një problem dhe Cristiano, idhulli im, më erdhi në mendje”, përfundoi sulmuesi brazilian./ h.ll/abcnews.al