Interi synon derbin e Milanos në Champions League, Benfica për gjithçka ose asgjë

schedule10:31 - 19 Prill, 2023

schedule 10:31 - 19 Prill, 2023

Nga Hergi Llupi

Mbrëmjen e sotme, Interi do të presë në “San Siro” portugezët e Benfica për ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Champions League. Zikaltërit fituan sfidën e parë në transfertë me rezultatin 0-2, dhe sot në shtëpi ata do të hyjnë në fushë si më të favorizuarit për të prerë biletën e gjysmëfinaleve, aty ku do të gjejnë Milanin dhe do të dhurohet një spektakël i jashtëzakonshëm, një derbi të Milanos në kompeticionin më të bukur për klube.

Zikaltërit duhet të lejnë pas gjithçka që kanë përjetuar këtë sezon në Serie A, pasi rezultatet negative kanë kapluar skuadrën e Inzaghit, ku madje tashmë rrezikojnë shumë që në sezonin e ardhshëm mos të munden të kualifikohen në Champions.

Duke duruar një ecuri prej gjashtë ndeshjesh pa fitore në të gjitha garat pa llogaritur atë fitore në Portugali, zikaltërit sot duhet të zbresin në fushë me një mentalitet fituesi dhe me një forcë e dëshirë për të prekur finalen, edhe pse dihet që do të jetë tepër e vështirë. Ndeshjet me eliminim kanë qenë specialiteti i Interit këtë sezon, pasi skuadra e Inzaghit gjithashtu përgatitet të përballet në derbin e Italisë kundër Juventusit në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë këtë muaj, por në Serie A nuk po bëjnë mirë. Marrja e vetëm një pike nga pesë ndeshjet e tyre të fundit në Itali do të thotë që Interi po lufton për të qenë sa më lartë i pozicionuar në rënditje.

Interi favorizohet nga tre gjëra mbrëmjen e sotme. E para është avantazhi që kanë ndaj kundërshtarëve të Benfica, pasi në sfidën e parë fituan me rezultatin 0-2. E dyta është se do të luajnë në “San Siro”, ku padyshim do të jetë me kapacitet të plotë dhe në çdo cep të objektit ikonik të futbollit italian do të shihen ngjyrat zikaltër. E treta është se në gjysmëfinale po i pret Milani, dhe kështu Interi do të dojë të luajë me patjetër këtë derbi të jashtëzakonshëm të Milanos në një gjysmëfinale të Champions League.

Inzaghi duhet të shpresojë për formën më të mirë të lojtarëve të tyrë në këtë përballje mbrëmjen e sotme. Mungesa e golit dhe psikologjia e ulët ka ndikuar në ndeshjet e fundit të Interit. Inzaghi shpreson sot të ketë në një formë të mirë, ashtu si në përballjen e fundit në Portugali treshen e mbrojtjes dhe portierin e tij Onana. Gjithashtu do të duhet një Brozovic dhe një Barella në formë të përkryer për të marrë në dorë timonin e mesfushës, dhe sigurisht, do të duhet një “dem i tërbuar në sulm”, Lautaro Martinez.

Nga ana tjetër e fushës, do të gjendet Benfica. Aspak një ekip për t’u nënvlerësuar pasi portugezët kanë një teknikë fantastike. Aktualisht ata ndodhen në vendin e parë të tabelës në ligën portugeze me 71 pikë, 4 më shumë se rivalët e tyre të Portos. Por dy ndeshjet e fundit në kampionat nuk kanë shkuar mirë për “shqiponjat e arta”, pasi ata kanë regjistruar dy humbje radhazi, ndaj Portos dhe ndaj Chavez.

Bah dhe Draxler nuk do të jenë as sot në fushë, por as Ristic. Kështu, Schmidt me shumë gjasa do t’i bëjë të qartë lojtarëve të tij se sot nuk do të kenë asgjë për të humbur, dhe me siguri ata do të tentojnë të sulmojnë sa më shumë në portën e Onana, por gjithashtu duhet të ketë parasysh se kujdesi duhet të jetë maksimal. Interi njihet për kundërsulmet vrastare që krijon nga porta e vet, kështu që Benfica duhet të jetë e vëmendshme në prapavijë dhe jo ta vendosë fokusin vetëm në repartin e sulmit.

Interi pritet të jetë sot në fushë me Onana në portë, ndërsa Darmian, Acerbi dhe Bastoni për të formuar treshen e mbrojtjes. Në mesfushë, në 5 korsitë e saj, zikaltërit priten të startojnë me Dumfries dhe Dimarco në krahët e saj, ndërsa Barella, Brozovic dhe Mkhitaryan priten të jenë në qendër të këtij reparti. Në sulm sigurisht do të jetë nga minuta e parë Lautaro dhe me shumë gjasa do të jetë Dzeko partneri i tij mbrëmjen e sotme.

Nga ana tjetër, portugezët do të startojnë me Vlachodimos në portë dhe Grimaldo, Otamendi, Silva dhe Gilberto në mbrojtje. Mesfusha pritet të përbëhet me Aursnes, Florentino dhe Rafa Silva, ndërsa Joao Mario, Neres dhe Ramos do të jenë në sulmin e “shqiponjave”.

Mundësitë janë që Interi të jetë gjysmëfinalisti i radhës i cili do të sfidojë Milanin në derbin e Champions League, por zikaltërit duhet të kenë të qartë se qetësia dhe psikologjia janë e vetmja armë e fortë që të bënë të arrish në vazhdimësi të këtyre kompeticioneve. Benfica, duhet të dijë se kur nuk ke asgjë për të humbur, atëherë duhet të futesh në fushën e blertë me forcë sulmuese dhe me mentalitetin për të luftuar çdo centimetër të fushës./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!