Përsëri trafik i çmendur në rrugën Thumanë-Fushë Krujë

schedule11:32 - 20 Gusht, 2019

schedule 11:32 - 20 Gusht, 2019

Edhe ditën e sotme në rrugën e Fushë-Krujës ka patur fluks të mjeteve, duke sjellë një trafik mjaft të rënduar. Një nga shkaqet kryesore për këtë situatë që vazhdon prej muajit Korrik është numri i lartë i mjeteve dhe punimet në urën e Fushë-Krujës. 

Nuk janë pamje as në ditë të shtune apo të diele kur fluksi u automjeteve është i lartë për shkak të lëvizjes drejt zonave bregdetare. Por janë filmime që gazetari i ABC News i bëri afër mesnatës, ditën e parë të javës. Drejtuesve të mjeteve u janë dashur orë për të përshkruar shtatë kilometra nga Thumana në Fushë-Krujë. Dhe orë të tjera nga Fushë-Kruja në Rinas.

Kur duket sikur ditën tjetër do bëhet më mirë, pamjet tregojnë situatë më të përkeqësuar. Këtë të martë, radha e mjeteve po në këtë rruge ishte e njëjtë me ato pamje të tre javëve rresht gjatë muajit Gusht.

Ka prej tyre që po udhëtojnë për të marrë pjesë në organizime familjare, por që pak gjasa ka të mbërrijnë në kohë. Udhëtarët besojnë që kjo ka ndodhur për shkak të rrugëve të ngushta dhe të fluksit të madh.

Por janë të shumtë ata që flasin për kaos sepse asgjë nuk respektohet nga kjo shoqëri dhe në këtë vend.

Fluksi i mjeteve nuk është një nga faktorët e vetëm që sollën një situatë të pazakontë në këtë segment. Një tjetër problem është ura e dëmtuar në qytetin e Fushë-Krujës. Ndërkohë aty po bëhen punime dhe pse nuk është koha e përshtatshme. Përfaqësues të firmës i thane gazetarit të ABC News, se ato do përfundojnë së shpejti.

Rruga Thumanë-Fushë Krujë do të vazhdojë të jetë e ngarkuar për kohë të gjatë. Ky sezon tregoi se ajo nuk ka kapacitetet e duhura për t’iu përgjigjur kërkesave të qarkullimit. Derisa të gjendet zgjidhja, udhëtimi në këtë segment do të jetë ferr./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!