Mbretëresha e valles shqipe, Lili Cingu ka bërë një rrëfim të rrallë në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News. Ajo ka treguar gjithçka, nga fillimet e karrierës si valltare dhe deri te jeta private.
Cingu u ndal dhe te hera e parë që ka kërcyer me të madhin Besim Zekthi, një ëndërr të cilën e bëri realitet.
“Kërcimin e parë që kam bërë si soliste, ka qenë në Turqi kur partnerja e Besim Zekthit u sëmurë dhe unë isha e detyruar të kërceja në vendin e asaj dhe aty thosha si arrita unë që të kërcej me Besim Zekthin ‘Shqipet’. Ishte një emocion shumë i veçantë të mësoja vallen dhe nuk e besoja që një ditë unë do të kërceja me Besim Zekthin, por e realizova”, u shpreh ajo.
Më tej, valltarja ndau dhe momentin emocionues kur kërceu për herë të parë Vallen e Rugovës, të cilën ia dedikoi babait të saj, pasi është nga Gjakova dhe për shkak të mbylljes së sistemit e kishte të pamundur të prekte tokën e vetë.
“Kërceja ‘Shqipen’, ajo ishte një hapje e skenës për të treguar që ne jemi shqipet e këtij vendi. Ishte e bukur, por kënaqësia më e madhe kur e kërceja ishte Vallja e Rugovës me koreografi të Besim Zekthit, sepse unë sikur kërceja nga rrënjët e babit tim, sepse ai është nga Gjakova dhe sistemi ishte i mbyllur asaj kohe, babi ishte ktej, nuk e prekte dot tokën e vetë, lindjen e vetë. Kur kërceja unë, më dukeshe sikur unë kisha shkuar vërtetë në tokën e babit tim dhe i thoja ‘Ja ju erdhi gjaku juaj’. Më të vërtetë e kam ndjerë veten që e kam përfaqësuar shumë bukur dhe vallen e Kosovës”, tha ajo./abcnews.al