Napoli në “Maradona” për të tentuar përmbysjen e madhe, Milan “shtrëngon dhëmbët”

schedule10:28 - 18 Prill, 2023

schedule 10:28 - 18 Prill, 2023

Nga Hergi Llupi

Sot në mbrëmje, në orën 21:00, Napoli do të ndeshet në “Maradona” ndaj Milanit për ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Champions League.

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave italiane përfundoi me një fitore të Milanit me rezultatin 1-0, dhe me shumë përplasje brenda fushës të cilat detyruan gjyqtarin kryesor të mos e hiqte dorën nga kartoni i verdhë. Kur dy gjigantët italianë u takuan në stadiumin “Maradona” në kampionat, Milani doli fitues me shifrat e thella 0-4 dhe tani ata janë me një epërsi me një gol.

Pavarësisht një fillimi tipik të shpejtë në “San Siro”, Napoli nuk ishte në gjendje të shfrytëzonte shanset e tyre në ndeshjen e parë të së mërkurës së kaluar dhe goditja e Bennacer pak para përfundimit të pjesës së parë u dha rivalëve të tyre kuqezi një epërsi të vogël përpara ndeshjes së sotme në mbrëmje. Pasi pësoi një humbje shokuese me katër gola në ligë nga Milani në fillim të prillit, stadiumi “Maradona” nuk duket më një kështjellë e padepërtueshme, pasi jo vetëm që Napoli ka humbur edhe nga Lazio atje kohët e fundit, në fundjavë ata nuk arritën të thyejnë një skuadër si Hellas Verona që lufton kundër rënies nga kategoria.

Napoli sot do të mbështetet në dy faktorë tepër të rëndësishëm. E para është se stadiumi i tyre do të jetë me kapacitet të plotë dhe gjithë fryma e tifozerisë do të dalë në mbështetje të skuadrës së tyre. E dyta është se Spalletti ka rigjetur Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian, ndryshe nga hera e fundit në “San Siro”, sot në mbrëmje do të jetë në dispozicion të Spallettit dhe sigurisht e gjithë vëmendja do të jetë te dyshja e frikshme e këtij sezoni në të gjithë Europën, Kvaratskhelia-Osimhen.

Skuadra e fundit që mundi Napolin tre herë në një sezon ishte Lazio, në sezonin 1994-1995, por Milani me siguri do të provojë shanset e tij.

Milan sigurisht që do të futet sot në stadiumin e kaltër me presion të lartë. Pioli dëshiron shumë që skuadra e tij të jetë e qetë nga ana psikologjike dhe të mos hutohet nga presioni i lartë që do të ofrojë stadiumi dhe skuadra kundërshtare. Spalletti do të ketë për detyrim të bëjë dy aktivizime të reja nga minuta e parë, pasi mbrojtësi Kim dhe mesfushori Anguissa nuk do të jenë si gjithnjë titullarë pasi janë të ndëshkuar prej kartonave.

Kjo është një sfidë e fortë dhe se emocionet do të jenë si ndeshjen e parë, ose ndoshta edhe më të mëdha. Atmosfera mund të jetë mbytëse për Milanin, por kuqezinjtë kanë në anën e tyre historinë e Champions League.

Napoli pritet të fillojë sot këtë sfidë me Meret në portë. Përpara tij do të vendoset katërshja e mbrojtjes me Di Lorenzo, Rrahmani, Juan Jesus dhe Mario Rui. Mesfusha pritet të jetë me Ndombele, Lobotka dhe Zielinski. Sulmi do të jetë me Politanon dhe Kvaratskhelia që do të ndihmojnë bomberin nigerian, Victor Osimhen.

Nga ana tjetër, Milani do të startojë në portë me Mike Maignan, padyshim lojtari më i rëndësishëm i kuqezinjve. Në mbrojtje priten të jenë Theo Hernandez, Tomori, Kjaer dhe Calabria. Mesfusha me Tonali dhe Krunic përpara repartit defensiv, ndërsa Bennacer pas sulmit që pritet të jetë me Leao, Giroud dhe Diaz./ h.ll/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!