Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar sot masakrën e Poklekut të Vjetër dhe atë të Çikatovës së Vjetër.
Ai ka potencuar se edhe pas më shumë se dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve nuk janë ndëshkuar nga drejtësia!
“Përulemi në kujtim të jetëve që u sakrifikuan për lirinë tonë! Para 24 vjetësh, pas masakrave të njëpasnjëshme anekënd Kosovës, në Poklek të Drenicës forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë. Në të njëjtën ditë, u vranë edhe 24 shqiptarë civilë në fshatin Çikatovë e Vjetër. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sot, bëhen 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, Komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeç./abcnews.al