Berisha e Meta çelin fushatën/ Këlliçi: Nga transporti publik falas te nënkalimi në sheshin Skënderbej, vizioni im për Tiranën

schedule14:07 - 15 Prill, 2023

schedule 14:07 - 15 Prill, 2023

TIRANË – Koalicioni “Bashkë Fitojmë” çeli sot fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit në stadiumin Air Albania. Siparin e fjalimeve e nisi kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, i cili renditi prioritetet e tij për Tiranën, duke kërkuar votën më 14 maj.

“Ju drejtohem nga kjo arenë, kudo ku të banoni në territorin e bashkisë sonë, do jeni të barabartë. Do ndërtojmë kopshte dhe çerdhe. Qendrat do të vijnë te ju, atje ku s’ka arsim, do të jetë shkolla. Të gjitha premtimet tona janë të realizueshme. Ju prindër në Astir nuk do të nxitoni më për të çuar fëmijët tuaj në shkolla.

Shërbimet e Bashkisë së Tiranës do të vijnë te ju. Atje ku ka shkollë ne do të çojmë rrugë. Ky do të jetë misioni i ri i policisë bashkiake e cila nuk do të ketë më mision gjobëvënien. Do të gjeni gjithmonë një derë ku do ju shërbehet. Këtë ofroj unë. Zgjidhje dhe besnikëri.

Jam i pari që besoj në premtimet që kam dhënë sepse janë të gjitha të arritshme. 200 mijë qytetarët që udhëtojnë me urban edhe për një muaj nuk do të paguajnë më. Uji është problemi më i madh qenkemi në shtëpitë tona. Çmimi është rritur dhe uji nuk plotëson kushtet për konsum.

Kam edhe një pyetje për biznesin të vogël e të mesëm, pse mendoni që politikat e bashkisë janë armiqësorë ndaj jush? Sepse jeni shtresa e mesme e qytetit dhe më të pakontrollueshëm. Dua të bëj një pakt me ju. Pas 14 majit do përballeni me një klimë miqësore që do t’ju ndihmojë të ngriheni. Unë nuk do të lejoj më në Tiranë të ketë diferencime.

Kudo të banoni, ju do të jeni të barabartë në shërbime dhe investime. Policia bashkiake nuk do të ketë më mision gjobitjen e qytetarëve. Do të gjeni hapur një derë ku të trokisni çdo herë që keni një problem.Më 14 maj Tirana ka një zgjedhje për të bërë, dhe ajo fillon nga duart tuaja.

Sot kemi miq nga e gjithë Shqipëria, prandaj unë ju drejtohem edhe juve që planifikoni të shpërnguleni në Tiranë. E di se keni hallet tuaja e nuk doni ta kaloni kohën të bllokuar në trafikun e tmerrshëm të Tiranës. Investimi më i mirë që mund të bëjmë për të lehtësuar trafikun, përvec autobuzit pa pagesë, është dhe zgjidhja përfundimtare për lidhjen e Bulevardit Dëshmorët e Kombit me Bulevardin Zogu I, përmes nënkalimit që do të ndërtojmë në Sheshin Skënderbej, pa prekur asnjë cm katror të sheshit apo parkingut nëntokësor ekzistues. Gjithashtu Tirana do të ketë 30% më shumë vende parkimi pa pagesë për banorët e saj. Kështu do të ulim edhe ndotjen e madhe që kemi, prej së cilës kryesojmë listën e kryeqyteteve europiane me më shumë fëmijë astmatikë dhe renditemi si një ndër 10 kryeqytetet më të ndotura të Europës.

Për shëndetin tonë na duhen edhe oazët e gjelbër. 1 për çdo lagje. 200 metra katrorë për të ndërtuar një kënd të gjelbër nuk janë asgjë përpara batërdisë me 7.1 milionë metër katrorë leje ndërtimi që janë dhënë këto vite. Ja pra që është e mundur, nëse vendosim prioritet shumicën, qytetarët.

Në shumë rrugë të brendshme ndërtimet e larta bllokojnë depërtimin e dritës së diellit. Tirana nuk e sheh më, as malin e Dajtit dhe as Kullën e Sahatit. Tirana jonë ka nevojë për frymëmarrje, për kënde pushimi për fëmijët dhe të moshuarit, ka nevojë për ajër më të pastër. Unë dhe ekipi im i kemi identifikuar këto hapësira, por si fillim ne do të orientojmë ndërtimin rezidencial nga përqëndrimi aktual në qendër, drejt poleve të qytetit, në mënyrë që Tirana të bëhet qytet policentrik, qytet proporcional, i zhvilluar dhe i jetueshëm edhe në periferitë e saj, atje ku planifikojmë të ndërtojmë parkingjet hyrëse për këdo që vjen këtu për të zgjidhur punë.” -tha Këlliçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!