Xhaçka pret kryediplomatin spanjoll: Duhet angazhim i gjerë për Kosovën

schedule13:21 - 14 Prill, 2023

schedule 13:21 - 14 Prill, 2023

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka nënvizoi sot se duhet të ketë një angazhim sa më të gjerë e sa më konstruktiv për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Xhaçka priti në një takim homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, vizita e të cilit i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Xhaçka informoi se pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e Kosovës e cila merr një rëndësi të veçantë, duke qenë një hallkë themelore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit.

Kryediplomatja shqiptare tha se është në të mirën e vet Bashkimit Evropian që të ketë një angazhim më të gjerë rreth anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ministri spanjoll Jose Manuel Albares Bueno, vendi i të cilit është në grupin e pesë vendeve të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, nuk preferoi të ndalet shumë në çështjen e vendit tonë.

Ai e përmendi shkurt se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ishin pjesë e diskutimit, por premtoi se Spanja do të mbështesë Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryediplomati spanjoll gjithashtu informoi se, do të organizohet një takim në rang kryeministrash mes Shqipërisë dhe Spanjës për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Shqipëria dhe Spanja nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi për arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!