Borxhi global është duke shënuar nivele të cilat nuk ishin parë që prej kulmit të pandemisë së Covid-19, paralajmëroi Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë sipas FMN-së përgjegjëse për pjesën dërrmuese të rritjes së pritshme të borxhit gjatë pesë viteve të ardhshme.
Kreu i departamentit të Çështjeve Fiskale pranë këtij institucioni, Vitor Gaspar nuk e fshehu shqetësimin, dhe paralajmëroi për pasoja.
“Tani në 2023-shin, ne kemi një situatë ku borxhi publik është më i lartë se sa pritej para pandemisë, dhe ritmet e rritjes së tij janë gjithashtu më të shpejta nga sa mendohej.
Në SHBA, borxhi qeveritar pritet që deri në 2027-tën, të kapërcejë pikun e periudhës së pandemisë. Kina nga ana tjetër do të shohë çdo vit rritje të raportit të saj të borxhit ndaj PBB-së. Barra e borxhit kinez parashikohet të jetë pothuajse dyfishi i niveleve të saj para pandemisë deri në vitin 2028”, ka thënë Vitor Gaspar, FMN.
Kjo, sipas Gaspar, vjen kryesisht si pasojë e tranzicionit të Kinës nga një ekonomi e drejtuar tek eksportet, tek një ekonomi e nxitur më së shumti nga kërkesa e brendshme.
Me herët, drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva, paralajmëroi se për pjesën më të madhe të ekonomisë globale, viti 2023 do të jetë një vit i vështirë pasi forcat kryesore të rritjes globale, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kina përballen me dobësim të aktivitetit ekonomik.
Arsyeja e ngërçit sipas saj është se të tri ekonomitë e mëdha, SHBA, BE dhe Kina, po ngadalësohen njëkohësisht.
/abcnews.al