Gazetarisë shqiptare do t’i mungojë pena e Fatos Baxhakut. Publicisti humbi jetën pas një sëmundje të rëndë në moshën 55 vjeçare.
Ndahet nga jeta në moshën 55 vjeçare gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku. Prej kohesh Baxhaku vuante nga një sëmundje e rëndë betejën me të çilen e humbi mesditën e të premtes. Fatos Baxhaku ishte një ndër emrat e shquar të gazetarisë pas vitit 90.
Gazetari është dalluar veçanërisht në zhanrin e reportazhit, të shkruar dhe televiziv. I diplomuar për histori, nga viti 1986 deri në vitin 1992 Fatos Baxhaku punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Ai është një ndër bashkëthemeluesit e “Gazetës Shqiptare” ku punoi si kryeredaktor dhe gazetar për një periudhë pesë vjeçare.
Ndërsa nga viti 1998-1999 Fatos Baxhaku punon si kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Nga 2001 deri në 2005-n ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”.
Në harkun 9-vjeçar 2006-2015, u zhvendos si kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”. Më tej, ka ushtuar gazetarinë në formën “freelance”. Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe. Gazetari ka qenë edhe pjesë e jetës akademike, si pedagog i jashtëm i gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe atë te Elbasanit./ABC News Albania 24/7