Indi, kryeministri mbron heqjen e statusit për Kashmirin

schedule16:15 - 15 Gusht, 2019

schedule 16:15 - 15 Gusht, 2019

Heqja e statusit të posaçëm për Kashmirin është kthyer në një çështje serioze mes Indisë dhe Pakistanit. Ndërsa kryeministri indian Modi premtoi se në këtë mënyrë do t’i kthejë rajonit lavdinë e dikurshme, ai i Pakistanit deklaroi se lëvizja përbën rrezik për sigurinë.

Kryeministri indian Narendra Modi ka deklaruar se vendimi i tij për t’i hequr Kashmirit indian statusin e posaçëm do t’i rikthejë rajonit lavdinë e dikurshme. Modi tha se Kashmiri do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Indisë, gjatë një fjalimi të mbajtur me rastin e ditës së Pavarësisë.

Sipas tij, ai nen i Kushtetutës që i garantonte rajonit statusin special vetëm sa ka nxitur korrupsionin dhe asgjë tjetër. Gjithësesi, Modi nuk përmendi bllokimin e komunikimit dhe ndërprerjen e energjisë që ka përfshirë Kashmirin që prej vendimit të tij të javës së kaluar.

Ai i bëri deklaratat e tij gjatë një fajlimi të mbajtur në kryeqytetin Nju Delhi ditën e enjte. India feston ditën e Pavarësisë një ditë pas Pakistanit, që është ndarë nga India në vitin 1947.

Në një fjalim të mbajtur të mërkurën, kryeministri pakistanez Imran Khan kritikoi Indinë për lëvizjen e saj mbi Kashmirin. “Sytë e gjithë botës janë mbi Kashmirin dhe Pakistanin.

Çfarëdo që të jetë bërë gjatë armëpushimit nga India, ne do t’i themi komunitetit ndërkombëtar se ju jeni përgjegjës. Në çdo forum që do të marrim pjesë, unë do të jem ambasadori i çështjes së Kashmirit”, deklaroi Khan.

Por kryeministri Modi nuk iu përgjigj direkt fjalëve të Khan. Ai zgjodhi të kritikonte në vija të përgjithshme njerëzit që kundërshtojnë heqjen e statusit të posaçëm, duke i akuzuar ata për lojëra politike./ABC News Albania 24/7