Policia e Himarës në bashkëpunim me Policinë e Sarandës pas kontrolleve të ushtruara në plazhin e Krorësit në Shën Vasil, Himarë, ka konstatuar 3 subjekte tregtare, të cilat zhvillonin aktivitetet e tyre tregtare në mënyrë të paligjshme.
Policia ka sekuestruar rreth 200 komplete shezlongë dhe çadra, të cilat shfrytëzoheshin nga ana e secilit pa kasë fiskale dhe pa leje nga Bashkia Himarë. Policia ka proceduar penalisht 3 pronarët e këtyre subjekteve: A.L., N.V., dhe A.D.
Operacioni ka vijuar edhe në Durrës, ku Policia në bashkëpunim me task forcën e ngritur nga prefekti i qarkut në bashkëpunim me Policinë Bashkiake në zonën e Katundit të Ri, në pjesën e plazhit, ka liruar rreth 1000 m2 plazh, i zaptuar në mënyrë të paligjshme nga dy pronarë subjektesh, si dhe ka sekuestruar rreth 270 komplete shezlongë e çadra.
Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit D.D. e SH.P., për veprat penale “Pushtimi i tokës ” dhe “Fshehja e të ardhurave”./abcnews.al