Sigurimi i votave për të bërë ndryshimet kushtetuese është një sfidë për qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Këto ndryshime janë një prej kritereve për të vazhduar negociatat me Bashkimin Evropian. Ndryshimet nënkuptojnë përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e vendit.
Analisti Blerim Hyseni, në një intervistë me Skype që dha nga Maqedonia e Veriut për gazetaren Linda Karadaku, tha se ndryshimet janë të domosdoshme por të vështira për t’u realizuar. Gjatë intervistës për “Ballkan Update”, analisti tha se nuk beson që këto ndryshime të bëhen këtë mandat qeverisës.
“Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme por është vështirë të realizohen dhe sipas gjasave nuk do të bëhen gjatë këtij mandati qeverisës. Sado që në bazë të marrëveshjes së arritur dhe afatit të parashtruar të Maqedonisë së Veriut që deri në fund të muajit Tetor të realizohet ky obligim që ka të bëjë me rregullimin e marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, mendoj se nuk do të mund të arrihet me këtë konstelacion të forcave politike dhe nga ana tjetër nuk ka shans që në Maqedoni të shpallen ndoshta edhe zgjedhje të parakohshme me qëllim që të respektohet ky afat.“, tha ai./abcnews.al