Anëtarësimi i Finlandës në NATO ishte temë diskutimi mbrëmjen e sotme në emisionin “Lufta dhe Paqja” në Abc News. Koloneli Çlirim Toçi tha në një lidhje me Skype se anëtarësimi i Suedisë, që për momentin është bllokuar nga Turqia dhe Suedia, pritet të diskutohet në samitin e ardhshëm të NATO-s.
“Presidenti i Finlandës përmendi se ky puzzle nuk do të jetë i plotë dhe pa anëtarësimin e Suedisë. Në një farë mënyrë po lobohet që në samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të zhvillohet me 11-12 Korrik në Vilnius të Lituanisë, që edhe ky anëtarësim të bëhet realitet. Për momentin është bllokuar nga Turqia dhe Hungaria.”, tha ai.
Ndërkaq, kapiteni Artur Meçollari theksoi se Finlanda e ka ndjerë gjithmonë rrezikun rus dhe për këtë arsye ka investuar shumë në ushtri. Ai shtoi gjithashtu se edhe Suedia ka një ushtri të mirëpajisur dhe anëtarësimi i saj në NATO do të ishte një kontribut i madh.
“Fuqia ushtarake varet nga kërcënimi dhe Finlanda është ndjerë që vitet e fundit kercënimi i është ardhur nga Lindja. Jo vetëm që ka një ushtri të madhe por edhe një industri ushtarake shumë të përparuar jo vetëm në tanke por edhe në teknologji të avancuara. Hyrja e Finlandës dhe Suedisë në NATO, jo vetëm janë kontribut nga pikëpamja gjeopolitike por edhe ushtarake. Të dy vendet kanë ushtri goxha të forta dhe të mirë pajisura dhe tepër moderne.”, tha ai.
Eksperti gjeopolitik Enri Hide shtoi se anëtarësimi i Suedisë në NATO do të ndërtojë një botë të re gjeopolitike.
“Është një moment kyç në skakirën gjeopolitike globale. Kemi një transformim radikal sot të vendosjes gjeopolitike me 1300 km kufi midis NATO-S dhe Rusisë. Do të kemi një ndryshim radikal së shpejti të strategjive ushtarake dhe të mbrojtjes të vendeve aleate. Do të ketë edhe një partneritet të intensifikuar me vendet baltike. Hyrja e Suedisë do të mbyllë këtë proces dhe do të ndërtojë një botë të re gjeopolitike e cila do të transformojë balancat në Euro-Azi. Ky është një ndryshim që do ta shohim për 50 vitet e ardhshme përpara nesh.”, tha Hide.