Juristja Brizida Gjikondi tha se gjyqi ndaj ish presidentit amerikan, Donald Trump është një thirrje e fortë për SPAK që të hetojë persona të politikës shqiptare. Gjatë intervistës me gazetarin Arlind Isa, Gjikondi tha se drejtësia shqiptare nuk është goditëse dhe se çështjet zvarriten.
“Nuk e kuptoj akoma luhatjen dhe zvarritjen e shumë proceseve që dimë shumë mirë që në drejtësi i japin kohë personave të akuzuar të fshehin provat dhe të bëjnë pazare dhe drejtësia të mos jetë efikase dhe goditëse.”, u shpreh juristja.
Duke u ndalur tek rasti i Sali Berishës si një person i shpallur non grata nga SHBA, juristja theksoi se drejtësia nuk është vënë në lëvizje për të hetuar akuzat e ngritura ndaj tij.
“Berisha ka pasur një varg akuzash dhe për veten dhe familjen dhe për persona të tjerë. Asnjëherë nuk janë proceduar nga drejtësia shqiptare dhe kjo jep një klimë destabiliteti dhe energjie negative në të gjithë Shqipërinë. Ne pamë, jo më larg se dje që Berisha akuzonte Yuri Kim që ka pronat e saj në Shqipëri. Kjo është e tmerrshme.
Patjetër që do të bëhet trim dhe t’i vërë zjarr Shqipërisë siç ka bërë në këto 30 vjet sepse asnjëherë nuk është ndëshkuar dhe nuk e ka marrë seriozisht drejtësinë. Ai dhe shumë të tjerë e marrin drejtësinë si vartëse të tyre, thjesht si një qen që e ndërsejnë për të lehur kundër kundërshtarëve të tyre, por asnjëherë nuk e lëshojnë nga rripi sepse mund të hajë edhe ata.“, tha Gjikondi./abcnews.al