Vendet e Kuintit, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rinisin procesin e dialogut.
Përmes një deklarate të përbashkët, vendet në fjalë kanë kërkuar nga Prishtina që të heqë taksën për produktet serbe dhe nga Beogradi që të ndalojë lobimin kundër pavarësisë së Kosovës.
Ambasadat e vendeve anëtare të QUINT-it i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin bisedimet. Ato kanë kërkuar nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare.
Aty shtohet se vendet janë gatshme të forcojnë rolin e tyre në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por kjo mund të bëhet vetëm kur jepen shenja të gatishmërisë për kompromis.
“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Kryeministri ne dorëheqje Ramush Haradinaj nëpërmjet një statusi në Facebook ka thënë se nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen.
Pa praninë e mediave janë takuar sot në një nga restoranet e Prishtinës, kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i Vetëvendosjes Albin Kurti. Në një status në Facebook, kreu i VV-së Albin Kurti ka shkruar se në takim është biseduar për seancën e 22 gushtit.
“Me 22 gusht dy grupet tona parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike. Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët” ka shkruar Kurti në Facebook. Edhe Partia Demokratike e Kosovës këmbëgul se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është e pashmangshme.
“Jemi në fazën e përgatitjeve, zgjedhjet janë të pashmangshme. Më 22 gusht do t’i hapet rrugë mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Veseli.
Për datën 22 gusht është caktuar seancë për shpërbërjen e parlamentit pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./ABC News Albania 24/7