Avokat i Kadri Veselit, Ben Emmerson, u shpreh se Prokuroria Speciale nuk e ka asnjë dëshmi, e cila mund ta vërtetojë se Veseli ka qenë pjesë e “ndonjë ndërmarrjeje kriminale”. Ai shtoi se në periudhën për të cilën akuzohet, Veseli ka qenë kryesisht jashtë Kosovës.
Më tej, avokati shtoi se kur Veseli u emërua shef i inteligjencës, ai ka qenë jashtë Kosovës dhe se në atë kohë punonte me shtetin e Shqipërisë dhe shtete anëtare të NATO-s për të dëshmuar krimet e kryera nga serbët.
Pretendimet e Prokurorisë i ka quajtur hipoteza. Emmerson ka përmendur një dëshmitar, që sipas Prokurorisë e ka parë në Kukës njëherë Veselin, por sipas Emmersonit më vonë ka dalë të ketë qenë deklaratë e gabuar. Dëshmitari, sipas Emmersonit, tashmë ka vdekur.
Ka përmendur edhe rastin e Lah Brahimajt, që sipas Emmersonit, dëshmon se Ramush Haradinaj s’ka qenë pjesë e ndërmarrjes kriminale. Njëjtë, sipas tij, vlen edhe për rastin e Veselit. Për një letër të publikuar nga ZPS-ja, Emmersoni ka thënë se “ajo s’e përmend fare Veselin dhe mund të jetë shkruar nga kushdo, e madje edhe mund të jetë shkruar në Hagë”.