Analisti Mentor Nazarko në një lidhje me ABC News nga Mali i Zi ka komentuar raundin e dytë të votimeve që po mbahet sot për presidentin e ri të vendit. Ai ka analizuar të dy kandidatët politikë, Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç, duke u ndalur më konkretisht se çfarë përfaqëson kjo votë për shqiptarët.
Nazarko ka theksuar se Milatoviçi është një figurë që ka ardhur në frontin pro serb dhe në fillim të karrierës së vetë ka ardhur nga shkollimi perëndimor në Oxford, ashtu si kolegu tjetër nga Singapori.
“Të dyja palët kanë bërë përpjekje që ta rrisin pjesëmarrjen në favorin e vetë. Thuhet, kjo është një çështje informacioni që Gjukanoviç është përpjekur të mobilizojë votën e diasporës, por është një bindje e përgjithshme që prania më e madhe, në raport me të gjithë raundet e dyta dhe në raport me raundin e parë favorizon sfidantët. Por çfarë përfaqëson kjo votë apo zgjedhja e Milatoviçit në krye të Malit të Zi për shqiptarët? Për hir të së vërtetës, gjykimi që kemi ne në lidhje me zhvillimet në Malin e Zi, -gjykimet e Shqipërisë-janë gjykime të cekëta, të kufizuara, zakonisht të orientuara nga optika e mediave të Kosovës, të cilat mbulojnë apo informojnë më shumë rreth këtij vendi sesa mediat e Shqipërisë. Kjo optikë e ka pikturuar Milatoviçin si ekskluzivisht lidhur me kishën serbe etj. Ndërkohë, do të duhet ta demistifikojmë këtë besim të përgjithshëm,
të kultivuar nga mediat kosovare, gjegjësisht nga politika kosovare që merr përsipër egocentrikisht ta paralajmërojë NATO-n, për rrezikun që i sjell Milatovici kombit malazez!! Po, Milatoviçi është një figurë që ka ardhur në politikë prej teknokratëve, që përfaqsonin Frontin pro serb në 2020. Në fillim të karrierës së vetë ka ardhur nga shkollimi perëndimor në Oxford, ashtu si kolegu tjetër Spajic erdhi nga Singapori. Por është një figurë e mbështetur nga SHBA apo dhe nga vendet e tjera perëndimore që rrezikon për shkak të nevojës për ndryshim të votohet verbërisht si Kurti me shumica dërmuese! Duhet thënë që për shkak të nevojës që ai të ruajë ekuilibrat me të gjithë ndjesitë etnike që janë të pranishme këtu, shumë pak dihet rreth orientimit të tij, rreth raportit me shqiptarët. Megjithate ai e kritikoi në debatin e fundit Gjukanoviçin për qendrimet që kishte mbajtur ndaj shqiptarëve, emigracionin e madh të tyre, Operacionin antishqiptar të vitit 2006, etj.”, u shpreh ai./abcnews.al