Mediat publikojnë dëshminë, autori i masakrës në El Paso: Doja të vrisja meksikanët

schedule18:25 - 10 Gusht, 2019

schedule 18:25 - 10 Gusht, 2019

Në dëshminë e dhënë përpara policisë, një pjesë e të cilës është siguruar nga mediat amerikane, autori i sulmit të armatosur në El Paso ka konfirmuar se qëllimi i veprimit të tij ishte vrasja e sa më shumë meksikanëve.

I dyshuari për vrasjen e 22 personave në një qendër tregtare në El Paso të Teksasit ka pranuar se kishte vënë në shënjestër meksikanët. Kështu shkruajnë mediat amerikane, të cilat i referohen një dëshmie të marrë nga policia.

Patrik Krusius thuhet se ndaloi automjetin e tij në një kryqëzim në afërsi të qendrës tregtare, doli prej andej me duart lart dhe tha para policisë:

“Unë jam autori”.

Dëshmia, një kopje e së cilës është siguruar nga “Washington Post” tregon se 21-vjeçari e pranoi menjëherë se kishte hapur zjarr ndaj klientëve dhe stafit të supermarketit.

Qendra tregtare në fjalë është e njohur për frekuentimin nga klientë meksikanë që kalojnë kufirin nga qyteti i afërt i Huarezit. Nga personat që humbën jetën, 13 ishin amerikanë, 8 meksikanë dhe 1 gjerman.

Autoritetet besojnë se fare pak momente përpara sulmit, Krusius postoi një manifest racist online që fliste kundër “pushtimit hispanik të Teksasit”.

Gjuha e përdorur prej tij ngjasonte shumë me disa fraza të përdorura nga presidenti Donald Trump për emigrantët. Për këtë arsye, shumë banorë të El Pasos e kanë akuzuar kreun e shtetit për retorikën e tij, e cila sipas tyre ka nxitur ngjarje të tilla.

Në reagimin e tij të fundit lidhur me episodin në El Paso, por edhe atë në Dejton, ku humbën jetën 9 persona, Trump tha se po punon me klasën politike në Kongres për të forcuar kontrollin e armëve./ABC News Albania 24/7