Inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë 300 milionë vende pune

schedule16:38 - 29 Mars, 2023

schedule 16:38 - 29 Mars, 2023

Inteligjenca artificiale (artificial intelligence, AI) mund të zëvendësojë 300 milionë vende pune me kohë të plotë, thotë një raport nga banka investuese Goldman Sachs.

Mund të zëvendësojë një të katërtën e detyrave të punës në SHBA dhe Europë, por mund të nënkuptojë gjithashtu edhe vende të reja pune dhe një bum produktiviteti.

Përfundimisht mund të rrisë vlerën totale vjetore të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara globalisht me 7%.

Inteligjenca artificiale gjeneruese (Generative AI), e aftë të krijojë përmbajtje të padallueshme nga puna njerëzore, është “një përparim i madh”, thotë raporti.

Perspektivat e punësimit

“Ne duam të sigurohemi që AI është duke plotësuar mënyrën se si ne punojmë në Mbretërinë e Bashkuar, duke mos e prishur atë – duke i bërë punët tona më të mira, në vend që t’i heqim ato”, tha Sekretarja e Teknologjisë Michelle Donelan.

Raporti vëren se ndikimi i AI do të ndryshojë në sektorë të ndryshëm – 46% e detyrave në administratë dhe 44% në profesionet ligjore mund të automatizohen, por vetëm 6% në ndërtim 4% në mirëmbajtje.

‘Paga më të ulëta’

“E vetmja gjë për të cilën jam i sigurt, është se nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa vende pune do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale gjeneruese”, tha Carl Benedikt Frey, drejtor i ardhshëm i punës në Shkollën Oxford Martin, Universiteti i Oksfordit.

“Ajo që bën ChatGPT, për shembull, është të lejojë më shumë njerëz me aftësi mesatare shkrimi, të botojnë ese dhe artikuj.

“Prandaj, gazetarët do të përballen me më shumë konkurrencë, e cila do të ulte pagat, nëse nuk shohim një rritje shumë të ndjeshme të kërkesës për punë të tilla.

“Konsideroni prezantimin e teknologjisë GPS dhe platformave si Uber. Papritur, njohja e të gjitha rrugëve në Londër kishte shumë më pak vlerë – dhe kështu drejtuesit aktualë pësuan ulje të mëdha pagash si përgjigje, prej rreth 10% sipas studimit.

“Rezultati ishte paga më e ulët, jo më pak shoferë.”

“Gjatë viteve të ardhshme, AI gjeneruese ka të ngjarë të ketë efekte të ngjashme në një grup më të gjerë detyrash krijuese”.

Sipas studimit të cituar nga raporti, 60% e punëtorëve janë në profesione, që nuk ekzistonin në vitin 1940.

Por, studime të tjera sugjerojnë se ndryshimi teknologjik, që nga vitet 1980 i ka zhvendosur punëtorët më shpejt sesa ka krijuar vende pune.

Dhe nëse AI gjenerues është si përparimet e mëparshme të teknologjisë së informacionit, përfundon raporti, ajo mund të zvogëlojë punësimin në një afat të shkurtër.

Ne nuk e dimë se si do të evoluojë teknologjia apo se si firmat do ta integrojnë atë në mënyrën se si punojnë.

Kjo nuk do të thotë se AI nuk do të prishë mënyrën se si ne punojmë – por ne duhet të përqendrohemi gjithashtu në përfitimet e mundshme të standardeve të jetesës, nga puna me produktivitet më të lartë dhe shërbimet më të lira, si dhe rreziku për të mbetur prapa nëse firmat dhe ekonomitë e tjera përshtaten më mirë me ndryshimet teknologjike. / BBC-Monitor