Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka komentuar deklaratat e bëra pas takimit të zhvilluar në Ohër nga president ii Serbisë, Aleksandër Vuçic, ku theksoi se nuk mund të firmoste asgjë “për shkak të dhimbjes torturuese në dorën e djathtë” , ajo ka thënë se është një tallje që u prit keq në Bruksel dhe kryeqytetet kryesore të Bashkimit Evropian.
Në një intervistë të dhënë për Nova, Cramon tha se anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia, pozicioni ndërkombëtar i së cilës, sipas saj, do të ishte shumë më i mirë nëse do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë.
“Marrëveshja e 27 shkurtit dhe aneksi zbatues janë vërtet revolucionare sepse sjellin një cilësi të re në dialog. Nga gjendja e krizës kalojmë në biseda për thelbin dhe normalizimin pothuajse të plotë të marrëdhënieve. Kjo sjell përfitime si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, sepse me të vërtetë zhbllokon rrugët e tyre evropiane. Ata e dinë shumë mirë se pa zgjidhjen përfundimtare të të gjitha çështjeve mes tyre, nuk ka integrim real në BE. Për më tepër, marrëveshja i lejon Serbisë që të sigurojë mbrojtjen e serbëve të Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore në mënyrën e duhur, ndërsa Kosova merr respekt dhe njohje të plotë për dokumentet, tregtinë e kështu me radhë” , është shprehur ajo.
Ndërsa e pyetur nëse është i nevojshëm nënshkrimi i marrëveshjes për të filluar zbatimin e saj, Cramon, tha se është për të ardhur keq që flitet në atë mënyrë.
“Ne i ndoqëm me vëmendje deklaratat e tij para marrëveshjes, të cilat ishin shumë të lavdërueshme, sepse hapën rrugën për arritjen e marrëveshjes. Megjithatë, retorika në pas të gjithave tallja e tij me ‘dhimbje torturuese në dorën e djathtë’ u prit shumë keq si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të BE-së”.
Ndërsa në pyetjen se nëse është e mundur të zbatohet ajo që thotë presidenti i Serbisë – të zbatohet gjithçka, përveç pikës që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në OKB, Cramon tha se kjo nuk varet nga ai.
Gjithashtu ajo ka thënë se marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel është ligjërisht e detyrueshme, “që ishte një mënyrë për të siguruar vlefshmërinë e saj edhe pa nënshkrim.”
“Tashmë ajo është pjesë e kritereve për pranimin e Serbisë në BE dhe vetëm zbatimi i plotë i saj do t’i mundësojë Serbisë mbylljen e negociatave. Rruga e Kosovës drejt OKB-së nuk ka asnjë lidhje me të”.
Ndërkohë duke folur pozicionin e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Cramon tha se është fare e sigurt se pozita e Serbisë do të kishte qenë shumë më e mirë nëse do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë./abcnews.al