Ndeshja ndaj Shqipërisë është shumë më e rëndësishme për Poloninë se lufta për tre pikë në një ndeshje normale në eliminatoret e Kampionatit Evropian. Fernando Santos dhe lojtarët e tij, të mposhtur në Pragë, i afrohen ndeshjes së dytë “me thikë në fyt”, e cilësuar kështu nga mediat polake.
Përshtypja në Poloni është sikur Fernando Santos ka shkelur në një minë. Ai firmosi për kombëtaren polake pa e ditur skandalin e bonusit që krijoi përplasje brenda ekipit gjatë Botërorit. Skuadrës polake i mungon ai karakteri i dikurshëm të cilin e bënin të dukej një ekip i vështirë për t’u mposhtur në fushë. Humbja ndaj Çekisë i ndezi edhe më shumë komentet negative, ku shumë legjenda të futbollit polak kanë reaguar ashpër. Madje njëri prej tyre, Zbigniew Boniek tha se për të luajtur ndaj Shqipërisë duhet karakter dhe këllqe pasi janë një ekip shumë i fortë.
“Polsatsport” shkruan se ndeshja ndaj Shqipërisë nuk do të jetë aspak e lehtë sot. Ata theksojne se kombëtarja e Shqipërisë nuk do të lejë aspak hapësira në fushë, edhe pse qëndrojnë të qetë për fizikun e lojtarëve tanë, pasi i konsiderojnë çekët më të fuqishëm fizikisht.
Gjithsesi, kanali mediatik në fjalë thekson gjithashtu se do të duhet kujdes i madh ndaj Shqipërisë pasi ata janë ekip që nuk dorëzohen kollaj dhe tepër agresiv.
Një fakt interesant është se deri më tani, në sondazhin e bërë nga “Polsatsport” për të dhënë mendimin e rezultatit përfundimtar, 3605 qytetarë kanë votuar në total, ku 44.6% të votave kanë shkuar te Shqipëria, pra që kombëtarja jonë do të fitojë. Për fitoren e Polonisë kanë shkuar 40.9% të votave, ndërsa për barazim 14.5%.
Stadiumi në Varshavë do të jetë i tejmbushur, por të gjithë ata tifozë polakë, edhe pse të sigurt në shtëpinë e tyre, i tremben një rezultati negativ ndaj Shqipërisë./ h.ll/abcnews.al