Ende pa u bërë anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut ka në plan që në bashkëpunim me vendet e tjera të modernizojë arsenalin ushtarak, për të zëvendësuar armatimet e vjetra sovjetike. Partneri kryesor në këtë nismë do të jetë Pentagoni, që do ta furnizojë vendin ballkanas me automjete ushtarake.
Krahas rinovimit të përbërjes së armatës profesionale të Maqedonisë së Veriut, Ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska ka paralajmëruar se deri në fund të vitit, kur Maqedonia e Veriut përfundimisht do të ulet në tryezën e NATO-s si vendi I 30-të anëtarë, të furnizohet edhe me pajisje ushtarake, siç tha për funksionalitet më të madh.
Radmilla Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes: “Në pjesën e dytë të vitit 2019 fokusi ynë është të furnizohemi me automjete luftarake dhe kuptohet furnizimi me pajisje mbrojtëse për të gjithë ushtarët. Treguam se nuk duhet të zgjedhim mes dy cështjeve, NATO dhe Armatë më të fuqishme. Arritëm që gjatë këtyre dy viteve të investojmë dhe të kemi rezultate në këto dy objekiva”.
Sipas Ministres së Mbrojtjes, në Ligjin e ri për furnizime publike në fushën e mbrojtjes është lënë mundësia që krahas firmave komerciale, furnizimi I pajisjeve për modernizimin e armatës të zhvillohet përmes marrëveshjeve me vende tjera anëtare të NATO-s.
Radmilla Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes: “Unë shpresoj se tani kur ligji është miratuar se mund të hyjmë në një fazë më serioze të bisedimeve edhe me SHBA-të dhe ti shfrytëzojmë këto mundësi që nuk ishin të lehta për t`I fituar. Ishin miratuar mjete dhe nëse gjithcka shkon sipas planit, shpresoj se deri në fund të vitit do të arrijmë që Armata jonë ti sigurojë automjtetet ushtarake si rezultat I marrëveshjes mes qeverisë sonë dhe asaj të SHBA-ve”.
Vlerësohet se Pentagoni pjesërisht do ta financojë furnizimin e automjeteve ushtarake për Armatën e Maqedonisë së Veriut dhe të Kroacisë si dhe financimin për helikopterë të Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë. Programi ERIP (European Recapitalization Incentive Program) është ngritur nga Qeveria e SHBA-së në vitin 2017 me buxhet fillestar prej 190 milion dollarëve me qëllim që t’u ndihmohet qeverive të gjashtë vendeve të Evropës Lindore të bëjnë zëvendësimin e teknologjisë sovjetike në ushtritë e tyre./ABC News Albania 24/7