‘’Mora hak për Gazën dhe doja të vdisja si martir”. Këto janë deklaratat e bëra para hetuesve nga bashkëpiloti i avionit të kompanisë Flydubai, i cili tentoi të merrte kontrollin e avionit gjatë fluturimit drejt Tel Avivit.
bëhet fjalë për Hamam Al-Hammami, shtetas i Omanit. Autoritetet po hetojnë motivin e tij dhe nëse ka vepruar i vetëm apo ka pasur persona të tjerë ose një organizatë pas tentativës për rrëmbimin e avionit.
Sipas hetimeve, bashkëpiloti dyshohet se sulmoi kapitenin Smit Machchhar me një thike dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit.
Sipas hetuesve ai kishte planifikuar ta drejtonte avionin drejt Tel Avivit, dhe ta rrëzonte në momentet e fundit të fluturimit.
Më shumë se 180 persona ndodheshin në bord. Situata u neutralizua pasi pasagjerë arritën të hynin në kabinën e pilotëve, të ndalonin sulmuesin dhe të ndihmonin në stabilizimin e avionit.
Hetuesit kanë marrë në shqyrtim edhe telefonin e bashkëpilotit, ndërsa po verifikohen udhëtimet e tij të mëparshme dhe kontaktet që mund të ndihmojnë në përcaktimin e motivit apo të ndonjë lidhjeje të mundshme me persona ose organizata të tjera.


