Lorik Gjokaj është një nga talentet e vegjël që po tërheq vëmendjen me pasionin për muzikën. Prindërit e zbuluan talentin e tij që kur ishte vetëm 7 vjeç, ndërsa sot ai ushtron zërin në shtëpi dhe në kurse muzike.
Loriku ka një preferencë të veçantë për muzikën klasike dhe sfidon veten me nota të larta. Por idhujt e tij nuk janë vetëm artistët e rinj: ai frymëzohet nga emra të mëdhenj si Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela.
Në rrugëtimin muzikor nuk është vetëm, pasi këndon edhe me motrën e tij, Selin. Së bashku kanë realizuar këngën “Ne jemi e ardhmja”, e cila nisi si një këngë e kënduar në shtëpi dhe më pas u kthye në një projekt profesional.
Por Loriku ka edhe një tjetër dashuri të madhe: këngët kushtuar vendit të tij. Ai ka kënduar për UÇK-në dhe Ibrahim Rugovën, duke e përshkruar muzikën patriotike si një mënyrë për të shprehur dashurinë për vendin. Një djalë i vogël me ëndrra të mëdha, që tashmë po hedh hapat e parë drejt skenave që dëshiron të pushtojë në të ardhmen./abcnews.al


